Ola Xama

Socializmi dhe Rilindja. (Një histori e shkurtër)

Kompania publike Albpetrol kaloi një periudhë të vështirë financiare në vitin 2020 për shkak të rënies së çmimeve të naftës gjatë pandemisë.

E keqmenaxhuar dhe e shfrytëzuar nga politika sa herë i duhej për punësime e para, nuk ishte e aftë që të përballej me emergjencën.

Drejtimi merr masa drastike dhe ul me 60% pagën bazë të punonjësve.

KLSH ka gjetur që për disa punonjës paga u ul nën nivelin minimal ligjor 26 mijë lekë që ishte në atë vit.

Vitin tjetër situata ndryshon disi dhe çmimet e naftës normalizohen.

Kjo ndihmoi kompaninë që të lidhë kontrata për shitje nafte dhe të përmirësojë gjendjen financiare. Bordi, i njëjti që miratoi kërkesën e administratorit Genti Gazheli për të ulur pagat, merr këtë vit vendim për t’i dhënë shpërblim vetes në masën 2.2 milion lekë të vjetra për anëtar.

Miratimi sipas KLSH është bërë në konflikt të pastër interesi, pasi askush nuk mund të japë shpërblim për veten.

Në të njëjtin vit, administratorët që pasuan drejtimin e kompanisë Albpetrol (6 për dy vjet), firmosin urdhër për t’i dhënë dietë me litra karburant antarëve të Bordit. KLSH ka gjetur se mbledhjet zhvilloheshin në Tiranë dhe nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë konsumin e naftës.

Bordi ka marrë në vitin 2021 dhe 2022 afërsisht 500 litra karburant në muaj dhe 1000 litra për gushtin.

Për dy vjet shpërblimet me naftë dhe paga të antarëve të Këshillit kapin vlerën 46 milion lekë të vjetra.

KLSH kishte lënë rekomandim që të bëhej kompensimi i pagave të ulura në pandemi për punonjësit, por askush nuk lëvizi dorën që të firmosë një vendim të tillë.

Rilindja e ngre dorën atëherë kur ka nevojë për ty, të merr në punë dhe kur bëhet keq të ul rrogën.

Në ndryshim nga socializmi që kur është mirë e shpërndan për të gjithë, rilindja ia rrit vetëm vetes dhe ty të le ashtu, mjafton që të mbash frymën gjallë dhe të varesh nga ta.

*
Antarët e Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrol që kanë përfitur naftën dhe pagat shpërblim :
– Evis Berberi – Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar;
– Ilia Gjermani – Drejtor i Hidrokarbureve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Evis Mamaj – Drejtore e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Laureta Omeri – Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol