Kërcënimeve për të dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm dhe përndjekjeve prej një viti ndaj shtetasit Eri Koshaj, burri i ministres Delina Ibrahimaj u dha fund pesë muaj më parë kur vendosi t’i zinte pritë te “Pazari i Ri” dhe ta qëllonte disa herë me thikë.

Një ngjarje në përmasat e skandalit ka ndodhur mëngjesin e datës 20 Nëntor 2023, në mes të Tiranës, por që është mbyllur nga përfshirja e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.

Ngjarja e rëndë të ndodhur në rrugën “Tefta Tashko Koço”, ku drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) është kërcënuar dhe qëlluar me thikë nga Andri Ibrahimaj, burri i ministres Delina Ibrahimaj.

Rasti është kallëzuar dhe në Policinë e Tiranës, në Komisariatin Nr.1 nga shtetasit Eri Koshaj, por institucionet kanë heshtur. Me kërcënime dhe ndërhyrje të shumta “nga lart”, kallëzimi i Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave është pluhurosur në sirtare.

Prokuroria e Tiranës ka marrë materialet proceduriale të referuara nga blutë e kryeqytetit, por ka vendosur që të pushojë çështjen.

Nga ndikimi dhe influenca e fortë e njerëzve të përfshirë në ngjarje vetëkuptohet dhe vendimi i organit të akuzës.

Raporti i Institutit te Mjekesise Ligjore Tirane

Redaksia disponon dhe ekzaminimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryer nga mjeku ligjor Harallamb Martopullo i cili provon se në trupin e shtetasit Eri Koshaj janë konstatuar dremishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet mbretës.

Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht.

Arsyeja e këtij konflikti që degjeneroi deri në përdorimin e thikës nga ana e burrit të ministres socialiste, Andri Ibrahimaj, është pikërisht posti që mban shtetasi Eri Koshaj si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

Atij i është kërkuar vazhdimisht të japë dorëheqjen, gjatë kohës që bashkëshortja e Andri Ibrahimaj drejtonte Ministrinë e Financave.

Agjencia e Trajtimit të Kredive është një institucion në varësi të kësaj ministrie dhe shtetasi Eri Koshaj nuk ka pranuar që të largohet pas presioneve dhe kërcënimeve.

Një tjetër detaj që thellon skandalin ku është përfshirë Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj.

Ky shtetas i ka kërkuar vazhdimisht Eri Koshaj që të jepte dorëheqjen sepse drejtor do të emërohej një shok i tiji.

Pra, burri i ministres Delina Ibrahimaj duket se de fakto drejtonte Ministrinë e Financave, sepse vendoste se kush do të emërohej dhe kush do të largohej nga detyra.