Programi i Rindërtimit është kallëzuar në SPAK për shkak të tenderave pa garë që u janë dhënë një sërë kompanish, në vlerë miliarda lekë. Menjëherë pas tërmetit tragjik të Nëntorit 2019, qeveria shqiptare vendosi të hapte procedura prokurimi të kufizuara dhe pa garë.
Open Data Albania rendit operatorët ekonomikë të njoftuar si ofertues të suksesshëm në Procedura Kontraktimi për Programin e Rindërtimit dhe periudha në shqyrtim është janar 2020 deri më prill 2023.
Bashkitë kanë kontraktuar për Programin e Rindërtimit deri në Prill 203 total 59.08 miliard lekë. Ndërsa Fondi Shqiptar për Zhvillim vlerën 32.76 miliard. Bie në sy se një pjesë e mirë e vlerës së kontratave të rindërtimit janë fituar nga kompani në pronësi të emrave të njohur të politikës e biznesit.
I pari në renditje sipas vlerës, Bashkimi i Operatorëve BOT, me katër biznese, kryesuar nga shoqëria Kevin Construcion. Pjesë e bashkimit të operatorëve janë edhe Company Riviera 2008, Mela shpk dhe Pepa Group. Bashkimi i Operatorëve drejtuar nga Kevin Construction ka fituar dy kontrata Minikonkursesh me vlerë total prej 3.777.430.000 Lekë (tre miliard e shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë milion e katërqind e tridhjetë mijë). Kontraktor në dy rastet është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Secila nga shoqëritë në këtë bashkim operatorësh ka edhe të tjera kontrata nga Programi i Rindërtimit, si operator i vetëm pa bashkëpunim, apo në bashkëpunime të tjera. Kjo shoqëria është themeluar nga Kryebashkiak i Kukësit zoti Safet Gjici.
Në vendin e dytë është përsëri një bashkim operatorësh me Ante Group dhe Ferro Beton & Constuction Co. Ky bashkim operatorësh ka fituar katër kontrata nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë totale 2 413 537 343 (dy miliard e katërqind e trembëdhjetë milion e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Gjithsej kompania Ante Group është pjesë edhe e 9-të (BOE) bashkimeve të tjera me operatorë ekonomik me vlerë ofertuese të suksesshme totale 3.59 miliard lekë.
Ndërkohë, Ferro Beton ka pasur edhe 3 bashkëpunime të tjera në kuadër të programit të rindërtimit me vlerë totale 1.28 miliard lekë.
Gjikuria e vetme renditet në vendin e tretë si operator i suksesshëm me vlerë totale 2 337 904 249 lekë (rreth dy miliard e treqind e tridhjetë e tetë milon lekë). Këto kontraktime janë kryesisht me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, përkatësisht 5 të tilla me vlerë 2.26 miliard, si dhe një tender me Bashkinë Tiranë me vlerë 77.8 milion lekë. Si bashkim Operatorësh me kompani të tjera Gjikuria dhe operatorët pjesë e bashkëpunimit kanë përfituar tendera së bashku në vlerë 599 milion lekë.
G.P.G. Company renditet e katërta për operator të suksesshëm të Programit të Rindërtimit me vlerë totale të tenderuar 2 027 584 558 (rreth 2 miliard e 30 milion) lekë. Ky operator ka përfituar 2 kontrata me Fondin, për rindërtim pallatesh në Krujë dhe Shijak. Gjithashtu, ka përfituar 3 kontrata me bashkitë, përkatësisht një me Bashkinë Durrës, një me Bashkinë Lezhë, dhe një me bashkinë Kurbin për rindërtim shkolle. Po ashtu kompania G.P.G ka përfituar edhe tendera të tjerë si bashkim operatorësh në vlerë 3.04 miliard lekë (total BO ku është pjesë G.P.G).
Salillari renditet i pesti si operatori më i suksesshëm i programit të rindërtimit me vlerë 1.99 miliard lekë. Kjo shoqëri ka një kontratë me FSHZH për rindërtim në bashkinë Vorë dhe 2 kontrata me Bashkinë Tiranë për zonën e 5 majit dhe zonën zhvillimore Kombinat. Operatori Salillari ka përfituar tendera edhe si bashkim operatorësh në vlerë së bashku 181 milion lekë.
Bashkime Operatorësh Ekonomik të suksesshëm në Programin e Rindërtimit me renditje nga vendi i gjashtë në të dhjetin janë BO:
- 2T shpk, Vëllezërit Hysa dhe Adriatik shpk me vlerë total 1.97 miliard lekë
- Kronos Konstruksion shpk, Everest shpk dhe Arb&Trans 2010 shpk me vlerë total 1.44 miliard lekë
- Erzeni/Sh shpk, Senka shpk dhe Dajti Park 2007 shpk me vlerë total 1.31 miliard lekë
- G.P.G Company, Shendelli shpk dhe NG Structures shpk me vlerë total 1.255 miliard lekë
- Ergi shpk dhe BE – IS shpk me vlerë total 1.25 miliard lekë.
Qeveria Shqiptare organizoi në bashkëpunim me Partnerët në datën 17 shkurt 2020 një Konferencë Donatorësh në Bruksel, ku deklaroi nevojën për të garantuar një ndihmë prej 1.15 bilion Euro nga dhurime, asistenca, grantet dhe kredi të buta. Ndihma e huaj në disa raste u karakterizua me pezullime dhe ndërprerje për shkak të krizës së Pandemisë që përfshiu mbarë botën në vitin 2020.
Aktualisht rezultojnë procedura të finalizuara me njoftim fituesi apo lidhje kontrate për Programin e Rindërtimit në vlerën 91.85 miliard lekë, nga të cilat 59.1 miliard lekë përmes bashkive dhe 32.7 miliard lekë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.