Në seancën gjyqësore të hënën më 22 prill për çështjen penale në ngarkim të ish-drejtores së Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Sonila Qato dhe ndaj zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, të pandehurit paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me provat e prokurorisë.
Përfaqësuesi ligjor i Qatos, avokati Vladimir Meçe vërejti se në aktet e prokurorisë nuk bëhet dallimi midis akteve procedurale dhe provave, si dhe se nuk ka fakte për të vërtetuar shkeljen e barazisë në tendera.
Avokatët e të pandehurve dhe ata vetë kundërshtuan aktin e ekspertimit të hartuar nga ekspertët e caktuar nga prokuroria, duke ngritur pretendime se ishte i bazuar në të dhëna jo të vërteta. Sipas tyre, tunelet e ekspertuara në rrugën e Arbërit nuk kanë përfunduar ende, edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga kryerja e atij akt-ekspertimi.
Po ashtu, u pretendua se ekspertët e caktuar nga prokuroria kanë qenë të palicencuar dhe se një prej tyre ka qenë e dënuar për falsifikim. Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre theksuan se një ekspert i dënuar nuk mund të jetë i besueshëm. Një prej avokateve paraqiti një shkresë të Gjykatës së Fierit që sqaronte se nuk mund ta vendoste në dispozicion vendimin për eksperten, pasi duhej prokurorë nga kjo e fundit. Për këtë arsye ajo kërkoi që të investohej gjykata, por trupi gjykues i kërkoi të bënte dhe një herë vetë kërkesë ku të sqaronte arsyen pse e kërkonte atë vendim.
I pandehuri Simon Prendi pohoi se po akuzohen për diçka që ‘paskërkan dashur të bënin’. Në seancë u soll në vëmendje se tenderi për të cilin akuzohen është fituar nga denoncuesi, shoqëria “Gjoka”, që sipas të pandehurve, luan rolin e viktimës.
Ata kërkuan që të moskonsiderohen provat e dorëzuara nga prokuroria, përfshi dhe aktin e ekspertimit, duke i cilësuar ato të papërdorshme dhe të paligjshme.
Po ashtu, u kërkua që të thirren si dëshmitarë tre ekspertët e prokurorisë, kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata.
Prokurori Elvin Gokaj vërejti se nuk dëgjoi asgjë lidhur me konstatimin se në të njëjtën ditë janë kryer dy akte me të dhëna të ndryshme, për të cilat organi akuzës pretendon se është kryer falsifikim me qëllim rëndimin e pozitës së kompanisë denoncuese. Gokaj solli në vëmendje dhe faktin se i pandehuri Prendi që ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ishte caktuar dhe si anëtar i grupit të punës për të kryer në terren verifikimet e punimeve të kompanisë denoncuese.
I pandehuri Almir Hoxha deklaroi se raportet janë me numra të ndryshëm protokolli, rrethanë që sipas tij tregon se nuk janë i njëjti dokument. Ai pretendoi se një prej raporteve është përpiluar me terma të përgjithshëm për t’u kuptuar nga të gjithë, ndërsa tjetri me terma teknikë, për të qenë më e qartë për inxhinierët.
Në përfundim të seancës, kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Irena Gjoka tha se veç procedimit me pyetjen e ekspertëve të prokurorisë, do të vijohet dhe me paraqitjen e provave nga mbrojtja. Seanca e radhës u shty për më datë 26 prill, në orën 10:30.
Sonila Qato dhe vartësit e saj akuzohen nga SPAK se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë.
ARRSH ngriti grup pune në vitin 2019 për të verifikuar punimet e kryera nga kompania “Gjoka…” në tunelet e rrugës së Arbërit, që i ishin dhënë me koncesion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kontrolli erdhi pasi kjo shoqëri garoi për tenderin 19 milionë euro në rrugën Kardhiq – Delvinë, duke pretenduar se ishte skualifikuar me të padrejtë.
Sipas SPAK, ARRSH ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifikim e kompanisë “Gjoka” nga tenderi”. Prokuroria i akuzon anëtarët e grupit të punës për “Falsifikim të dokumenteve”, me argumentin se kanë përgatitur në të njëjtën ditë dy raporte që ndryshojnë nga përmbajtja.
Gjithashtu, pretendohet se përmbajtja e këtyre raporteve ka rezultuar në kundërshtim edhe me dokumentacionin e dorëzuar nga ana e bashkimit të operatorëve “Gjoka Konstruksion”, si dhe janë vlerësuar prej prokurorisë tërësisht të ndryshme nga të dhënat e përftuara nga procesverbali i këqyrjes së realizuar nga Policia Gjyqësore apo dhe aktit të ekspertimit të kryer nga ana e ekspertëve të caktuar nga SPAK.
SPAK konstaton ndër të tjera, se i pandehuri Simon Prendi ka qenë njëkohësisht anëtar i KVO-së dhe i grupit të punës, duke u gjendur në situatë të hapur konflikti interesi. Reporter.al