Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Kurban Bajramin dhe ceremonia e faljes u krye në sheshin “Skënderbej” në Tiranë nga mijëra qytetarë të mbledhur, favorizuar edhe nga freskia që solli shiu i verës.

Edhe pse në ndërtim prej disa vitesh, besimtarët nuk kanë ende një xhami për të kryer faljen e tyre.

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin.

Kjo e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”.

“Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfrit. Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët. ‘As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj’, thotë Zoti.

Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria. E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona!

E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin! Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin! H. Bujar Spahiu Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë’, ishin mesazhet e përcjella dje nga kreu i KMSH-së.