SPAK bastis banesën e kreut te ARRSH Evis Berberi , kapet çanta me EURO
Hetuesit e BKH kanë mësyrë në mënyrë të befasishme në banesën e drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi këtë të martë.
Burime konfidenciale i thanë Kapitali.al se gjatë kontrollit në banesë, zotit Berberi i janë gjetur një sasi e konsiderueshme parash cash.
Mësohet se bëhet fjalë për një shumë mbi 50 mijë euro. Ndonese gjetja e parave cash në vetvete nuk përbën automatikisht vepër penale, ky fakt rëndon pozitat e kreut të ARRSH në hetim, pasi zoti Berberi duhet të justifikojë origjinën e parave.
Por parate nuk jane problemi i vetem i kreut te ARRSH, me sa duket. Veç kontrollit në banesë, hetuesit e BKH kanë sekuestruar edhe telefonin e ish ortakut të tij, Valter Begaj, me të cilin kreu i ARRSH-së ka patur marrëdhënie të ngushta financiare, jo vetëm në pozita private.
Karuzeli DAAM
Në shtator të vitit 2018, biznesmeni Valter Begaj i shet kompaninë DAAM shtetasit Evis Berberi për 800 euro.
Vetëm katër muaj më vonë, në janar të viti 2019 kur u emëruar këshilltar i ministres së Energjisë, Evis Berberi e shiti kompaninë tek një person tjetër për plot 500 mijë euro.
Pak kohë më vonë kompania u ble sërish nga zoti Begaj, këtë herë për 1.7 milionë euro. Karuzel i parave me kompaninë DAAM ishte indicia që vuri nën hetim kreun e ARRSH-së. Por tashmë ai duhet të përgjigjet dhe për fakte të tjera që prokurorët e SPAK kanë gjetur nga hetimet.
Evis Berberi është një nga drejtorët më të rëndësishëm të shtetit duke menaxhuar buxhetin e madh të investimeve në infrastrukturë. Shpesh këto investime janë përfolur për korrupsion galopant dhe kosto të fryra në kurriz të taksapaguesve. Rasti më i fundit ishte ai i rrugës Korçë-Ersekë, e cila edhe pse ka marrë miliona euro shtesë mbi vleren e prokururar ne tender u shemb duke shkaktuar një dëm të madh, jo vetëm financiar.
Evis Berberi konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sapo zonja Balluku mori postin e ministres së infrastrukturës e emeroi zotin Berberi si këshilltar të saj dhe më pas e katapultoi atë fillimisht në krye të Agjencisë së Energjisë dhe më pas në drejtor të ARRSH-së, një nga portofolet më të rënda financiare të qeverisë.