SPAK kthen sytë prokurimet: “Oktapodi” Yzedin Bozhaj gllabëron me skemë tender 1.2 miliard lekë në Tepelenë, “lojtarë” Hekuran Hoxha dhe Termet Peçi
Redaksia Investigative-Gazeta Jonë
Biznesmeni fierak Yzedin Bozhaj është gllabëruesi kryesor i fondeve për ndërtime shkollash në bashkitë e Shqipërisë Qendrore dhe sidomos në jug duke përpirë gjithçka nga tenderët e tillë gjatë viteve të fundit.
Përmes formave të dyshimta, me kompani fiktive në garë dhe bashkëpunime me elementë të botës së nëndheshme, Bozhaj arrin të marrë tenderët e bashkive për shkollat duke kapur xhiro kolosale gjatë vitit të shkuar sipas të dhënave nga tatimet.
Sëfundmi, burime bëjnë me dije për Gazeta Jonë se Bozhaj ka përdorur një kompani lokale në Tepelenë, të bësuarin e Tërmet Peçit, Hekuran Hoxha për të shtënë në duar edhe tenderin. Mësohet se Hoxha ka ofruar aksesin te Peçi dhe siguron bërjen e “hinkës” kurse Bozhaj do të bëjë punimet duke dalë të tre të të lumtur nga tenderi i frikshëm prej 1.2 miliard lekësh me TVSH për një shkollë 9-vjeçare!!!
Tenderi
Bashkia Tepelenë hapi në 27 korrik 2023 një tender me fond limit prej 108 776 265 lekë (pa TVSH) për rikonstruksionin e godinës dhe oborrit të shkollës 9-vjeçare Avni Rustemi në Tepelenë duke bërë që të jepnin oferta 4 kompani, përfshi edhe bashkimin e kompanive “NG STRUCTURES” shpk të Hekuran Hoxhës dhe “Shëndëlli” shpk të Yzedin Bozhajt, të cilat u shpallen fituese pas eliminimit të të tjerëve për arsye qesharake siç janë mos dorëzimi i ofertës apo mosdorëzimi i dokumenteve bazikë që ka një kompani. E gjitha duket një skemë për të nxjerrë Hoxhën dhe Bozhajn fitues si të projektuarit e Tërmet Peçit.
Jo më kot, Bozhaj dhe Hoxha rezultojnë të kenë fituar tenderin me 98% të fondit limit edhe pse në garë kishte katër kompani! Kurrkund në botë nuk ndodh që një kompani të marrë pjesë në një tender me 3 konkurrentë të tjerë se të bëjë “bingo” duke fituar me një rezultat të ngushtë prej 98% të fondit limit!
Epo mrekullitë ndodhin në Tepelenën e Tërmet Peçit dhe “mbretërinë” e Yzedin Bozhajt, i cili është përfshirë edhe në afera të tjera, për të cilat ju ftojmë të na lexoni në vijim.
Bozhaj po bëhet gati edhe për tenderin e shkollës Remas në Divjakë, fituesi i së cilës sipas burimeve të Gazeta Jonë është paracaktuar të jetë ai, prokurim të cilin do ta ndjekim.
Gjithçka ndodh teksa SPAK ka nisur të hetojë tenderët e zhvilluara nga ministritë dhe duket se do të shtrijë hetimin edhe në bashkitë e vendit pasi disa arrestimeve të bujshme siç është rasti i Lefter Allës që iu vunë prangat pikërisht për një aferë të ngjashme. /Gazeta Jonë