Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vënë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, pas zbulimit të skandalit se i dha tenderin 400 mijë dollarë kuzhinierit që punon me djalin e tij Alfio Rotanit. Mësohet se Agolli po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Krahas tij burime bëjnë me dije se objekt i hetimit janë edhe Alfio Rrotani si edhe Endrit Maçi.

Më 27 janar të 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i lakmuar për tendera të shumtë, paga të larta e klientelizëm, shpalli fituese të tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menynë e ”100 Fshatrave”, pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale, kompaninë “Mascarpone”, bashkë me personin fizik Endrit Maci. Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese.

Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.

Ndërkohë administratori dhe aksioneri kryesor i kompanisë fituese ‘Mascarpone’ rezulton kuzhinieri i njohur Alfio Rrotani, me 55 % të aksioneve, ndërsa bashkëpronarët e tjerë janë Senad Perfati, Blenardo Rrushi dhe Eljona Sulovari.

Themeluar në dhjetor të vitit 2018, firma fituese në fakt është një bar-restorant që ndodhet përballë godinës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe që natyrisht frekuentohet nga zyrtarët e niveleve të ndryshme të FSHZH-së, pa përjashtuar as zyrtarët kanë firmosur letrat e tenderit.

Sipas dokumentacionit, bar-restoranti rezulton në adresën Rruga ”Sami Frashëri”, përballë Shkollës Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, që përkon me adresën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Dyshimet për njohje mes funksionarëve publikë që kanë bërë letrat e tenderit dhe kuzhinierit përfitues, janë të natyrshme.

Pjesë e lojës është edhe Endrit Maçi. Prokurorët dyshojnë se ka një lidhje përtej asaj financiare mes vetë Agollit dhe Endrit Maçit. Ky i fundit ka qenë prej vitesh drejtues në shoqatën “Ardhmëria” në Tiranë, një organizim fetar, ndërsa Agolli, vite më parë ka qenë frekuentues i qarqeve fetare të lidhura me këtë organizatë në Tiranë.

Postim i Endrit Macit kur drejtonte organizaten fetare

Ka të dhëna që Maçi të jetë i përzgjedhuri i Agollit si përfaqësues i tij në raportet e familjes së tij me Rrotanin si edhe tenderin e parave me thasë që u fituan prej kuzhienirit dhe Maçit.

Lidhja mes personazheve në fjalë bëhet edhe më e dyshimtë nisur edhe nga fakti se Endrit Maçi, pronar i kompanisë “Tellall Co” ka bërë logon e restorantit të djalit të Dritan Agollit si edhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Këto logo ishin në faqen e instagramit të kompanisë së Maçit, por më pas u hoqën prej saj fill pasi SPAK nisi hetimin.

Alfio Rrotani ka rolin kryesor në krahun e përfituesve të parave publike me anë të projektit të diskutueshëm të FSHZH. Ka dyshime për një lidhje financiare mes Alfio Rrotanit dhe Flladi Agolli, i cili është djali i kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Flladi Agolli është pronar i kompleksi “Bedouin Beach & Bar”, në plazhin e Hamallajt. Kompleksi është pjesë e kompanisë Hospitality Management & Services Shpk që ka aksionar të vetëm djalin e Dritan Agollit. Në media është raportuar se Alfio Rrotani ka punuar si shef kuzhine pikërisht në restorantin e djalit të kreut të FSHZH.

“Gazeta Jonë” ka mësuar se kreu i FSHZH, Dritan Agolli ka një version tjetër. Agolli ka theksuar se fituesi i tenderit, Alfio Rrotani, nuk ka punuar tek restoranti i djalit të tij, por Rrotani është kontraktuar nga Flladi Agolli për të realizuar menunë e lokalit të tij në Hamallaj. Rrotani ka marrë pagesën për këtë shërbim dhe sipas Agollit nuk ka pasur raport tjetër financiar mes tyre.

“Gazeta Jonë” lexoi dokumentet e tenderit për shërbimin e konsulencës për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave”.

Nisur nga përmbajtja e dokumenteve për shërbimin e kërkuar, praktikisht kompania nuk do të bëjë pothuajse asgjë. Në pjesën e kontekstit të ndërhyrjes, nuk është e qartë se çfarë shërbimi do të ofrojë konkretisht Alfio Rrotani, pasi flitet për çështje të përgjithshme në një kontekst social dhe historik.

“Kjo ndërhyrje synon ridimensionim e fshatit shqiptar në një nivel të kënaqshëm në raport edhe me turizmin dhe jetën socio-ekonomike të banoreve që jetojnë ne to. Fshati shqiptar është pjesë integrale dhe e pazëvendësueshme për sektorin e turizmit në përgjithësi dhe atij të agroturizmit në veçanti. Në Shqipëri, turizmi gjithmonë e më shumë po zë një vend të rëndësishëm në strukturën dhe peshën e ekonomisë… FSHZH duke marrë në analizë faktorët që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e turizmit në territorin e 100 Fshatrave, ka identifikuar si nevojë krijimin e produkteve autentike ushqimore lokale dhe krijimin e Menusë 100 Fshatrat. Në këtë kontekst përmes kësaj ndërhyrjeje do të synohet mireorientimi dhe përmirësimi në mënyrë të shpejte dhe të qëndrueshme e këtij elementi kyç për zhvillimin e turizmit në territorin e 100 fshatrave”, thuhet mes të tjerash në dokumentin e tenderit. /GazetaJone