Një bashkëshort jobesnik ka më shumë gjasa të tradhtojë me dikë që tashmë e njeh, një mik apo fqinj, ka gjetur hulumtimi mbi tradhtinë. “Njerëzit raportojnë se kanë lidhje jashtëmartesore me një person që e njohin mirë, si një mik, koleg ose fqinj”, vërejnë studiuesit.

Familjariteti që ata ndjejnë, por edhe mundësia që u jepet është një arsye. Tjetra, sipas shkencës, qëndron në faktin se ai që bën pabesi dëshiron të divorcohet, por ka frikë të mbetet vetëm. Sipas studimit, nga pjesëmarrësit, 21% e meshkujve dhe 13% e femrave kanë pranuar se kanë tradhtuar partnerin e tyre. Nga ata që tradhtuan, 82.9% e bënë atë me dikë që e njihnin tashmë, si për shembull një mik apo koleg të mirë.

Gjetjet specifike përforcojnë ato të hulumtimeve të mëparshme mbi tradhtinë, por ky studim ishte i pari që u fokusua në llojin e partnerëve jashtëmartesorë që njerëzit zgjedhin. Dhe ndërsa disponueshmëria, afërsia dhe lidhja emocionale lehtësuan krijimin e marrëdhënies së paligjshme, çiftet duhet të adresojnë shkaqet themelore që çuan në të.

“Pakënaqësia në marrëdhënien ‘serioze’ dhe zhgënjimi ishte arsyeja kryesore që çoi në tradhti”, thonë ekspertët. Autorët e studimit spekulojnë se njerëzit që tradhtojnë me një mik apo të njohur, kërkojnë një rrugëdalje nga marrëdhënia e tyre, por në të njëjtën kohë nuk duan të jenë vetëm.

“Kështu që ka kuptim që ata të zgjedhin njerëz që tashmë i njohin, pavarësisht nga problemet që mund të shkaktojnë. Këta njerëz ofrojnë sigurinë emocionale, intimitetin dhe butësinë që kërkon mashtruesi. Kjo do të thotë, ato pasqyrojnë nevojat e tij, prandaj ai bën këtë zgjedhje të veçantë. Përndryshe, ai thjesht mund të kënaqej me seks të rastësishëm me një person të panjohur ose dashuri të paguar”, përfundojnë ekspertët.