Leku po vijon edhe këtë javë të fitojë gradualisht terren ndaj Euros në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro zbriti përsëri poshtë nivelit të 121 lekëve dhe u këmbye me 120.98 lekë.

Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro/Lek që prej fundit të muajit janar. Kursi i këmbimit së Euros jo vetëm që e ka tejkaluar goditjen që mori në fillim të muajit mars, por tashmë po u afrohet sërish niveleve rekord që shënoi në fund të vitit 2021, kur preku vlerat më të ulëta të 14 viteve të fundit.

Agjentët e tregut e shpjegojnë nënçmimin e euros kryesisht me ofertën konstante dhe kërkesën e pakët të tregut për monedhën europiane. Në muajt e fundit, subjekti që ka sjellë rritjen kryesore të kërkesës në kursin e këmbimit valutor është grupi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHEE), për nevoja të blerjes së energjisë elektrike.

Një efekt i tillë u ndie i fortë në fillim të muajit mars, kur kërkesa e lartë e OSHEE solli një panik të përkohshëm dhe forcim të shpejtë të Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Kursi i euros u rrit në harkun e një jave me pothuajse 5% dhe arriti sipër nivelit të 127 lekëve. U desh ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë më datë 8 mars, nëpërmjet shitjes së valutës, që mbiçmimi i euros të frenohej dhe të kthehej gradualisht në nivelet e mëparshme.

Burime nga tregu shpjegojnë se OSHEE i ka mbyllur blerjet e valutës për tremujorin në vazhdim dhe nuk pritet një ndikim i madh i këtij subjekti në të ardhmen e afërt. Në mungesë të faktorit OSHEE, agjentët shprehen se në treg nuk ka ndonjë kërkesë të ndjeshme për euro, çka e shpjegon rënien graduale të kursit të monedhës europiane.

Një faktor tjetër që në teori mund ta ketë mbështetur forcimin e pozitave të lekut është rritja e normës bazë të interesit të lekut nga Banka e Shqipërisë. Më datë 23 mars, Këshilli Mbikëqyrës e rrit normën bazë me gjysmë pikë përqindje prej nivelit minimal historik 0.5% në 1%.

Rritja e normës bazë përfaqëson një lëvizje që rrit çmimin e monedhës vendase, shtrëngon ofertën e saj dhe njëkohësisht tenton t’i bëjë më atraktive kursimet në lekë. Megjithatë, deri tani ekspertët shprehen se nuk vërehet ndonjë ndikim i dukshëm i kësaj lëvizjeje në drejtim të rritjes së kërkesës për lekë dhe zhvendosjes së kursimeve drejt monedhës vendase.

Në fakt, kursi i këmbimit të lekut po shfaq një tendencë deri diku suprizuese, duke pasur parasysh faktorët fondamentalë që zakonisht përcaktojnë ecurinë e tij. Që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar, shtrenjtimi i mallrave të importit ka ushtruar një trysni në rritje mbi deficitin e llogarisë korente.

Sipas Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korente në tremujorin IV 2021 u zgjerua me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me gati pesë herë krahasuar me tremujorin paraardhës. Efektin kryesor e dha rritja e deficitit tregtar në mallra. Flukset hyrëse në llogarinë financiare, të lidhura kryesisht me rritjen e investimeve e huaja direkte, ishin larg balancimit të plotë të shtesës së deficitit të llogarisë korente.

E pavarësisht kësaj, kursi i këmbimit të euros në fund të vitit të kaluar preku nivelet më të ulëta në 14 vjet, në nivelin e 120.36 lekëve.

Në një moment kur ekonomia po përballet me nivele shumë të larta të inflacionit të importuar, mbiçmimi i Lekut ka efekt pozitiv në drejtim të amortizimit të pjesshëm të shtrenjtimit të mallrave të importit.