Është anuluar pak para se të niste mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste që ishte parashikuar të zhvillohej pasditen e kësaj të enjte.

Mësohet se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, ai i cili e ka anuluar mbledhjen në të cilën tema e diskutimeve do të ishin zgjedhjet lokale të 14 majit dhe diskutimi emër për emër, për kandidatët që do të garojnë për 61 bashkitë e vendit.

Mbledhja e kryesisë është anuluar papritur, pasi kryeministri Rama do zhvillojë një darkë informale me kryebashkiakët, ndoshta për të vendosur edhe pikat mbi i për fatin e disave prej tyre.

Mbledhja e sotme në selinë rozë do të zhvillohej 24 orë pasi Rama mblodhi Grupin Parlamentar dhe u komunikoi porositë e fundit, duke u kërkuar të “mos flenë gjumë” dhe se do jenë ata përgjegjës për rezultatin e 14 majit.

Rama ditën e djeshme ka porositur deputetët socialist që aplikacioni “Aktivisti” të vazhdojë të përdoret nga të gjithë në administratë, në mënyrë që të ketë angazhim maksimal për zgjedhjet që pritet të mbahen pas 2 muajsh.