Zbardhen përgjimet e grupit kriminal që merrej me trafikun e drogës drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas dosjes së siguruar nga TCH, 21 anëtarë të grupit ranë në pranga dhjetorin e vitit të shkuar. Mes të arrestuarve ishte një efektiv i Policisë së Shtetit, Mirash Gjoni. Në përgjime ata flasin për trafikun e drogës me kamion drejt Greqisë. Ndërsa një nga të arrestuarit, Artur Sulaj komunikon me të pandehurin Shpëtim Pjeshka, për të provuar dhe një rrugë për në Turqi.
Pjesë nga përgjimet:
B: Hiç, isha andej nga kamioni sot, çova ato batanijet i lava te gjitha i sistemova i rregullova, ça të bëjmë, presim tashi.
A: Pooo, a do me ba naj rrugë për Athinë?!
B: Në vend ore që nesër!
A: Mire, ok, shkarkon në Athine pastaj ia fut për Turqi po deshe.
B: Po ta provojmë një herë Turqinë o burrë… Ta kishim provu një here kshu bosh apo?!!!
A: Po mor ashu bojmë.
B: Beee pret puna o them te kisha bë një rrugë bosh deri në Selanik?
A: Deri në Selanik?!
B: Ehe. Ose shkonim deri në Turqi e vinim… mendoje mirë këtë muhabet se është për të menduar jo për noj gjë.
A: Po po por ky klienti po pret…
B: E ka urgjente ai?
A: Poo normal po, ti a e njef Greqinë?
B: Deri në Selanik, andej se njof unë! Do të ikësh ti, po deshe ik ti, për mu njësoj është… si ti dhe unë bashke.
A: S’kam patentë!
B: Po kush po kërkon patentë anej o. Deri Kapshticë vij unë të sjell me kamion.
A: Ça do bësh do me e ba nji rrugë për Athinë apo jo? e ti kthej përgjigje këtij klientit…
B: E bejmë… mire hajde, të vij unë nesër andej apo do vish ti këtej?
A: Si te dush, ti kthej përgjigje sa ton ka.
B: Mirë më kthe përgjigje vij unë nesër andej, se kemi leket e parkingut për të paguar, hajde, hajt.
A: Çiao.
SPAK ka dërguar për gjykim shtetasit Endrit Bakiu, Sulo Pajo, Artur Sulaj, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Sonila Sula, Kudret Rustemaj, Besnik Ruçi, Pirro Capi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Tomi Hila, Leonard Nergjoni, Artin Kurti, Astrit Miska, Ervis Cilo, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.