Nënkryetarja e PD-së ka shprehur indinjatën e saj për paketën e Rezistencës Sociale të vendosur nga kryeministri Edi Rama.

Tabaku e konsideruar si një lëvizje totalisht komuniste dhe i ka tërhequr vëmendjen Ramës duke i kërkuar të gjej zgjidhjen jo të shpërndaj lëmosha për qytetarët. Sipas Jorida Tabakut, e vetmja mënyrë për të zgjidhur situatën, është përmes ndryshimit të strukturës së taksimit.

Postimi i plotë

Bordet alla komunizëm nuk janë zgjidhje e krizës!

Paketa e gjoja shpëtimit të krizës është ajo e talljes me qytetarët. Në një kohë kur çmimet për produktet më thelbësore të shportës së qytetarëve janë rritur me 200 lekë, në një kohë kur çmimi i naftës është kaq i lartë si pasojë e taksave të vendosura nga qeveria. Atëherë zgjidhja që ofron qeveria është një paketë e programuar të implementohej në qershor që sillet më shpejt në kohë. Nuk e shpëton qytetarin pagesa për 3 muaj me radhë e rritjes së çmimit të shportës, kjo është qesharake dhe nuk bazohet në nevojat reale. Qeveria nuk mund të shpërndajë lëmoshë por duhet të gjejë mekanizmat për të mos rënduar xhepin e qytetarëve. Rruga e vetme është ajo e ndryshimit të strukturës së taksimit sidomos në një kohë kur inflacioni është 4%. Pra shqiptarët që marrin të njëjtën rrogë i blejnë produktet 4% më shtrenjtë se sa një vit më parë, pensionistët blejnë thuajse 7% më shtrenjtë produktet ushqimore ndërkohë që pensionet i kanë qesharake dhe më të ulëtat në rajon! Shqipëria sot është në një krizë të paralajmëruar që në shtator kur diskutohej buxheti. Qeveria asokohe ishte e shqetësuar të planifikonte satelitët në hapësirë ndërsa opozita këmbëngulte për qytetarët në Shqipëri. Në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta kthejnë jetën e një sipërmarrësi dhe të punësuari në një ferr të vërtetë. Masat e qeverisë janë populiste dhe tërësisht të pashëndetshme për ekonominë dhe aq më pak për qytetarin. Nuk ka nevojë qytetari për lëmoshë! Kjo paketë tregon fatkeqësisht se qeveria ende mendon buxhetin e shtetit si një torbë që i dhurohet oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve.