Me një vendndodhje shumë të favorshme dhe çmime të përballueshme, Shqipëria është një mundësi e shkëlqyer europiane për turizmin shëndetësor në krahasim me destinacionet e largëta si Tajlanda, Dubai, Brazili apo Meksika. Por, me vështirësitë e shkaktuara nga kriza e Covid, informalitetin dhe abuzimet me çmimet, vendit tonë i duhet më shumë se sa çmimet e lira për të qenë alternativë tërheqëse në vitet në vijim…

Në rrugën kryesore të ish-Bllokut në kryeqytet, burrat që shërohen nga procedurat e mbjelljes së flokëve mund të dallohen lehtësisht me fasha rreth kokës. Po ashtu, edhe disa vajza me fasha në hundën e tyre. Të dyja grupet e të rinjve kanë të përbashkët faktin që…nuk flasin shqip! Maji dhe qershori janë periudhat tipike kur shohim të huaj rrugëve të kryeqytetit, të cilët kanë ardhur për një arsye më shumë se sa shëtitjet që po bëjnë.

Duke pasur parasysh rregullat që ndryshuan pas 1 majit për Covid, Shqipëria me turizmin mjekësor që ofron, është përshtatur me normalitetin e ri. Nga trajtimet e zakonshme dentare te procedurat kirurgjikale estetike dhe procedurat minimale invazive, vizitorët shqiptarë dhe ndërkombëtarë po tregojnë interes në rritje për t’u ndier më të shëndetshëm, më të rinj dhe më të lumtur me trupin e tyre.

Edhe pse ende modeste në tregun ndërkombëtar të kujdesit shëndetësor, Shqipëria ka filluar të tërheqë çdo vit, gjithnjë e më shumë turistë. Hyrjet e turistëve mjekësorë në Shqipëri janë dyfishuar në vitin 2020.

Edhe pse shifra zyrtare e konfirmuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) është modeste (1437), rritja prej 54% duket premtuese, sidomos po të marrim në konsideratë se sipas aktorëve të tregut, matja e hyrjeve për turizëm mjekësor është shumë më e lartë nga se deklarohet.

Spitalet private në Shqipëri kanë përmirësuar koordinimin e tyre me agjencitë turistike vendase dhe të huaja për të ofruar paketa turistike mjekësore. Për më tepër, po investojnë më shumë në marketing, për të arritur te klientët në tregje të reja potenciale. Por, tregu vijon të mbartë problematika.

Dritan Gremi, drejtues i “Gremi Clinics”, thotë për “Monitor” se, informaliteti vijon të jetë “Thembra e Akilit” për sektorin në vendin tonë.

“Në këto kushte, imazhi që përcjellim te pacientët e huaj, është ai i një vendi ku gjërat bëhen me pak para, ku mbizotëron informaliteti, çka nuk është aspak pozitive për një vend që aspiron të jetë anëtar i BE”, – pohon ai, i cili shton se ka shumë struktura që abuzojnë me cilësinë dhe çmimet fiktive./Monitor