Historia e Hekries dhe Altinit, përloti të pranishmit sot në “Ka Një Mesazh Për Ty”. I shkëputur nga krahët e Hekries që kur ishte ende i vogël dhe ajo e njihte me emrin Rudin, Altini u birësua nga një familje në Durrës që e rriti me shumë dashuri.
Nga ana tjetër, zemra e Hekries digjej për vite me radhë, në kërkim të djalit të saj, për të cilin i thanë se kishte vdekur. Ardhja në jetë e tre fëmijëve të saj, dy prej të cilëve ndajnë të njëjtën ditëlindje me Altinin dhe djali i dytë ngjason me të, nuk ia largoi kurrë mungesën e tij.
Në “E diela shqiptare” në Tv Klan, nënë e bir shohin për herë të parë pas 47 vitesh njëri-tjetrin dhe rigjejnë veten në një përqafim të përmallshëm, që u deshën dekada të vinte.
Ardit Gjebrea: Kujt i ngjan?
Hekria: Lorenci i dytë. Unë nuk e di, po shoh ëndërr, nuk më besohet. E gjeti Hekria Rudinin, nuk e di. Kam vuajtur shumë. Do bëjmë muhabet bashkë do ti tregoj të gjitha, çfarë ka hequr kjo nënë vetëm të kërkoj Rudinin. Si e ka, Altin?
Ardit Gjebrea: Altin.
Hekria: Ta gëzojë, ia ka vënë nëna e vet, e falenderoj me shpirt, që ka rritur djalin tim dhe djalin e vet, që nuk është vetëm i imi. Unë e linda, ajo nënë është nëna me e dashur për të që e ka rritur, sepse jam nënë vetë. E falenderoj me shpirt dhe bravo i qoftë. Altin, Rudin dy emra unë nuk mund t’i harroj kurrë. Altin i mamit tënd që të rriti dhe Rudini im që të linda. Shpirti im! Rudini im ti! Zemra ime ti! E kam ëndërr, është ëndërr! Shpirti im ti, të kam pritur 47 vjet!