Ish-kryeministri Sali Berisha si cdo të premte zhvilloi bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët. Ai e nisi konferencën me dënimin e Rusisë për referendumet dhe aneksimet në Ukrainë.

PD sot në opozitë dhe nesër në pushtet nuk do ta njohë kurrë këtë vendim të Rusisë dhe i bën thirrje ndërkombëtarëve të dëgjojë Zelenskin dhe ta përjashtojë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit. Ai duhet të ndëshkohet”tha ai.

Më pas Berisha kaloi te politika vendase duke akuzuar dhe sulmuar si gjithmonë Edi Ramën.

“Rama po i tall shqiptarët me përçmim dhe një akt i tillë është qëndrimi i tij ndaj shpenzimeve dhe vjedhjeve që ka bërë me dy projekte.

I pari instalacioni në oborrin e kryeministrisë, 4 mln euro të arkave të drurit me vazo. Një mashtrues ordiner. Deklaroi se nuk jap llogari si i përdor paratë.

Atë instalacion ta marrë ta çojë në Surrel. Çdo euro e shpenzuar për të do i bëhet ngarkim. Ju e dëgjuat vetë, kontratën për satelitët.

Ai u tha shqiptarëve se i duhen satelitët se nuk kanë kushëri, halla apo teze që të fshehin kullat. Ndaj e dënoj me ashpërsinë më të madhe” tha ai.

Mori meritën për tërheqjen e qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. “U dorëzua. Para jush i kam dhënë një ultimatum në mënyrë të përsëritur; po rrite çmimin e energjisë do të presësh atë që meriton.

Por sidoqoftë vendimi i tij për t’u tërhequr nën presion, do të thotë se vetëm presioni funksionon me këtë njeri. Qytetarët më kanë bërë disa mesazhe. Tani më lind e drejta, të them se bëri sikur guxoi, por u palos” tha ai.