Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i kërkon kryeministrit Edi Rama që të ndërpresë menjëherë sulmet dhe penalitetet ndaj gazetarëve, pas rastit të përsëritur dje ndaj Klevin Mukës. Më parë “për riedukim” Rama ka lënë jashtë konferencave të tij gazetaren Ambrozia Meta.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj rasteve të tilla dhe i kërkon kryeministrit të Republikës të ndërpresë masa të tilla penalizimi për gazetarët, për shkak të pyetjeve që ata i bëjnë. Penalitete të tilla janë të pazakonta, të panjohura në praktikat e komunikimit të udhëheqësve të shteteve me gazetarët dhe me mediat”, thuhet ndër të tjera në reagimin e UGSH.

Reagim i kryetarit të UGSH, gazetarit Aleksandër Çipa ndaj rastit të gazetarit Klevin Muka në konferencën e kryeministrit Rama – Tiranë 2.07.2022

Ndërhyrja e kryeministrit Rama në konferencën e gazetarëve, pas pyetjes që kolegu Klevin Muka bëri për mosrespektim të kodit të etikës nga pjestarët e kabinetit qeverisës, dëshmon edhe një herë një akt të përsëritur të penalizimit të gazetarit për shkak të pyetjes. Më herët një rast i tillë kishte ndodhur me kolegen Ambrozia Meta.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtyre masave që pengojnë gazetarin për periudha të caktuara kohe për të marrë pjesë në konferencat e kryeministrit. Kjo bie ndesh me legjislacionin shqiptar për të drejtën për informim dhe për t’u informuar. Kjo bie ndesh me parimet e komunikimit publik të një kryeministri, i cili duhet të përballet me gazetarët për pyetje dhe çështje që shqetësojnë opinionin publik.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj rasteve të tilla dhe i kërkon kryeministrit të Republikës të ndërpresë masa të tilla penalizimi për gazetarët, për shkak të pyetjeve që ata i bëjnë.

Penalitete të tilla janë të pazakonta, të panjohura në praktikat e komunikimit të udhëheqësve të shteteve me gazetarët dhe me mediat. Aplikimi i penaliteteve të tilla për ndëshkime gjashtë mujore apo tre mujore për gazetarët, janë një rast tipik shqiptar dhe si të tilla, përbëjnë një modul pse jo në rënie, të lirisë për informim në republikën e Shqipërisë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë do të dëshironte që praktika të tilla të refuzohen menjëherë, madje edhe të anullohen si rasti i fundit. Kryeministri Rama duhet të jetë më komunikues me mediat dhe sidomos me gazetarët për çështje që i interesojnë opinionit publik dhe për aspekte që kanë të bëjnë me interesat publike. Çdo ndërhyrje tjetër, nuk bën gjë tjetër, veçse politizon marrëdhëniet e një qeverie me mediat, me gazetarët dhe me reporterët në mënyrë të veçantë.

Përsëritja e rastit tjetër do të shkaktonte reagime të pafundme jo vetëm nga komuniteti jonë, nga organizata jonë e cila në rast të përsëritjes do të vendoset në krye të reagimit, por edhe nga organizata simotra në Europë dhe vendet e tjera të Botës. Një gjë e tillë nuk e nderon lirinë e medias në Shqipëri dhe aq më keq, vazhdon të përkeqësojë indekset e lirisë së medias në raportet ndërkombëtare.