Të gjithë bizneset të cilat japin qese njëpërdorimshe do të gjobiten nga 500 mijë deri në 1.5 milionë lekë të vjetra. Ky vendim i qeverisë ka hyrë në zbatim nga data një qershor por deri më tani ka qenë një periudhë monitorimi. Duke nisur nga data një korrik, do të ketë sanksione për të gjitha njësitë tregtare të cilat japin qese plastike njëpërdorimshe.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e kanë mirëpritur këtë politikë të ndjekur, tregtarët janë shprehur se kjo kishte shtuar kostot tek ta pasi qytetarët nuk pranonin të blenin qeset e forta, duke bërë që fitimi i tyre të ishte edhe më i ulët.

“Shumica vjen me qese nga shtëpia,ata që e dinë. Edhe ne kemi probleme me këtë qese se kemi kosto shumë të lartë. Kjo shkon 110 lekë, shkon 3 mijë lekë kilogrami për këtë lloj qesje. Vijnë qytetarët, marrin nga një kilogram mall, mua më ik fitimi aty tek qesja. Sepse duan qese veçmas për çdo mall. Ne po i japim falas sot për sot sepse nuk pranojnë t’i blejnë. Nuk janë mësuar me lekë”-u shpreh njëri prej tregtarëve.