Kur Presidenti Vladimir Putin u ngjit në skenën e ngritur në stadiumin Luzhniki të Moskës për të përshëndetur pushtimin e Ukrainës, ai kishte veshur një pallto të dizenjuar nga një stilist italian, e cila kushtonte më shumë se sa fitonin rusët në një vit.

Ai u shoqërua me brohoritje të forta përpara se kritikët të vinin në dukje se Putin kishte zgjedhur për fjalimin e tij emocionues ultra-nacionalist një xhaketë Loro Piana me vlerë 10,500 £. Putini, retorika antiperëndimore e të cilit është përhapur që nga fillimi i luftës, kishte veshur gjithashtu një pulovër që kushtonte 3200 £.

Paga mesatare në Rusi vitin e kaluar ishte 678,500 rubla (6,300 £), sipas statistikave të qeverisë. Putini ka të paktën 20 rezidenca luksoze në të gjithë Rusinë, nëntë prej të cilave janë ndërtuar që nga ardhja në pushtet e ish-oficerit të KGB-së në vitin 2000. Avioni i tij kryesor presidencial, një Ilyushin Il-96 i personalizuar, thuhet se ka një palestër në bord dhe një tualet të veshur në arë me vlerë 50,000 £.

Në vitin 2018, Alexei Navalny, lideri i opozitës i cili gjendet në burg,tha se orët luksoze që Putini ishte parë të mbante në publik kishin një vlerë prej të paktën 335,000 £, një shumë e barabartë me pagën e tij zyrtare vjetore për gjashtë vitet e kaluara. Xhevahiri në koleksionin e tij ishte një orë me veshje platini me vlerë 380,000 £ nga “A Lange & Söhne”, një orëpunues gjerman. Asnjë prej tyre nuk ishte deklaruar nga Putin, i cili është i detyruar nga ligji rus të raportojë dhuratat që merr.

Sipas deklaratës së tij vjetore të të ardhurave, Putin fiton 10 milionë rubla (93,000 £) në vit. Kremlini pëlqen ta portretizojë atë si një njeri të popullit. “Putini nuk ka nevojë për luks”, tha televizioni shtetëror vitin e kaluar pasi Navalny akuzoi Putinin se ishte pronari sekret i një pallati të madh dhe spektakolar në brigjet e Detit të Zi.

Pallati me vlerë 1 miliard paund krenohet me platformat e tij për helikopterët, një shesh patinazhi nëntokësor mbi akull, një tunel në plazh dhe një banjë me baltë terapeutike, sipas planeve të shkrepura nga ekipi i Navalny. Tualetet e tij janë të pajisura me furça tualeti italiane të veshura me fletë ari me vlerë 650 £ dhe mbajtëse letre tualeti prej 900 £.

Edhe pse Rusia është ndër tre prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në botë, 16 milionë njerëz – 11 për qind e popullsisë – kanë të ardhura nën kufirin e varfërisë prej 110 £ në muaj.

Pavarësisht nga kjo shfaqje e dukshme e pasurisë, vlerësimet se sa vlen Putini janë tejet të ndërlikuara, sepse paratë e tij besohet se mbahen për të nga anëtarët e familjes, miqtë e fëmijërisë dhe madje edhe truprojat. Revista Forbes e ka përshkruar kërkimin për pasuritë e liderit rus si “gjeagjëzën më të pakapshme”.

Putin i ka mohuar akuzat se ai është një nga njerëzit më të pasur në botë. “Unë jam i pasur me atë që populli i Rusisë më ka besuar… udhëheqjen e një kombi të madh. Unë besoj se kjo është pasuria ime më e madhe,” është shprehur Putin.