I riu është shprehur se konfliktet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme dhe ka pretenduar se 4 muaj para krimit, 20-vjeçari e kishte dhunuar pas një konflikti mes tyre.

Ai ka treguar para hetuesve se viktima e akuzonte se i kishte shqetësuar të dashurën, gjë të cilën e ka mohuar duke thënë se “komunikimin dhe takimet me vajzën ishin të pashmangshme për arsye se ishin në të njëjtën klasë”.

Axel Hoxha ka treguar se kishin biseduar me 20-vjeçarin dhe për t’u takuar dhe sqaruar lidhur me konfliktet e mëparshme që kanë pasur, por natën e krimit e kishte parë rastësisht.

“Qëllimi ka qenë të bisedonin”, tha ai duke pretenduar se viktima në atë moment ka nisur të flasë me tone të larta, gjë që sipas tij ka agravuar situatën.

Axel Hoxha ka pretenduar se thikën e ka pasur me vete rastësisht. Gjithashtu ka treguar se miku i tij, Enzi Maze, i arrestuar pak orë pas ngjarjes nuk kishte lidhje me ngjarjen pasi ka qenë rastësisht i pranishëm.

18-vjeçari dëshmoi se u largua nga vendi i ngjarjes pasi nuk ka menduar se Stiven Toshkëzi mund te kishte humbur jetën.

Ai ka mohuar të ketë ngacmuar të dashurën e viktimës dhe ka kërkuar të përballet edhe me vajzën.

Kjo e fundit, në dëshminë e dhënë për policinë, është shprehur se Axel e shqetësonte në rrjetin social Instagram, mesazhe që janë parë edhe nga i dashuri i saj Stiven Tokshkëzi.