Një vit nga arratia e tij, për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë, Arben Ahmetaj ka zgjedhur që të akuzojë sërish, duke ngritur gishtin në drejtim të bashkëpunëtorëve të tij të dikurshëm në qeveri, me në krye kryeministrin Edi Rama.
Në një intervistë që pritet të transmetohet ditën e hënë, përballë gazetarit Çim Peka, Ahmetaj pritet që të bëjë publike kërcënime të vazhdueshme që sipas tij, i bëhen nga Italia. Po ashtu në promon e intervistës, Ahmetaj pretendon se është kërcënuar me arrestimin e ish-bashkëshortes Albina Maçka, si dhe partneres aktuale Erjola Hoxha, me të cilën ka një vajzë të mitur.
Teksa është në pritje të aprovimit të kërkesës për azil në shtetin zvicerian, që do e bënte t’i shpëtonte njëherë e mirë akuzave të ngritura nga SPAK, Ahmetaj ka rritur ‘stekën’ e deklaratave për ish-shefin politik, Edi Rama. Në intervistën në fjalë Ahmetaj shprehet se ndaj Ramës dhe familjes së tij ka përgjime ambientale që e përfshijnë në afera korruptive.
Pikat kryesore të intervistës që pritet të publikohet
Kush është personi që e kërcënon nga Italia?
Është një person që flet me dialekt verior, me numër italian, me një emër rumun
Problemet që lënë pa gjumë familjen e kryeministrit, dhe akuzat direkte për Ramën
Ka një përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit. Te AKSHI 43 milionë përmes presta-nomeve. E di ti që në Dubai ka video të McGionigal me autoritetet shqiptare, kush e ka korruptuar McGonigal? Ecoparku, kam zhdukur një letër vetë, këta kujtojnë se ajo letër nuk ekziston?
Kërcënimet për të heshtur
Çfarë më thanë mua këta? Ou të çojmë në të sëmës, t’i lëmë fëmijët jetimë, të çojmë në burg gruan dhe ish-gruan, po fole. Unë po flas, sepse unë e kam ndarë mendjen! O djalë…
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.