Zamir Kalemi kishte ditë që vëzhgohej nga personat që i kishin vënë syrin që ta ekzekutonin. Momentin më të përshtatshëm kanë gjetur atë kur 42-vjeçari sapo kishte dalë nga spitali privat ku edhe po kurohej i vëllai, Andrea alias Adriatik Kalemi.

Mbrëmjen e 12 janarit, pranë zonës së Selitës, një makinë i preu rrugën dhe qëlloi me breshëri automatiku mjetin e tij, por fatmirësisht Kalemi i shpëtoi atentatit.

Sipas emisionit “Në Shënjestër”, ekzekutorët duket se kanë patur një plan të organizuar dhe kanë pasur dijeni të detajuar rreth lëvizjeve të Zamir Kalemit, madje edhe informacionin që vëllai i tij ishte kthyer në Shqipëri dhe ishte i shtruar në një spital privat.

Kjo pasi vetëm pak javë më parë ka pasur një përleshje me një shtetas egjiptian në burgun grek ku po vuante dënimin. I burgosuri tjetër kishte marrë urdhër për ta ekzekutuar, por nuk ia doli dot.

Kështu që, pasi kanë marrë vesh se vëllai i madh ishte në një spital privat, vrasësit i janë vënë pas Zamir Kalemit. Edhe pse nuk solli asnjë dëm, pas sulmit që i ndodhi të vëllait, edhe Andrea Kalemi doli nga spitali ku ishte shtruar që më datë 8 janar. Data e daljes së tij në kartelë është 13 janar, fiks një ditë pas atentatit.

Herën e parë që Zamir Kalemi u mor në pyetje nuk e pranoi se kishte shkuar në spital për të parë vëllanë, duke iu druajtur kështu një “rrjedhjeje” informacioni. Ai ka pretenduar se shkoi në spital për të takuar një shok dhe gjatë marrjes në pyetje ka mohuar konflikte me persona të tjerë, edhe pse familja është e përfshirë në një sërë ngjarjesh ndër vite. Të njëjtin version kanë pasur edhe familjarët e tij, të cilët kanë refuzuar të japin informacione të detajuara para Policisë. Për ta, goditja nuk dihet nga vjen.