Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e Partisë Demokratike dhe ish-kryetare e Kuvendit, është shprehur se nuk mund të garojë për kryetare të PD, duke qenë se zhvillimet e fundit kanë treguar se kjo parti i ka sytë te Sali Berisha.

“Çfarë kuptimi ka të garosh në një forcë politike që i ka dhënë besimin Berishës dhe ai ka thënë që do të kandidojë. Berisha ka dëshmuar për të disatën herë që është autoritet i padiskutueshëm në të djathtën shqiptare. Ai nuk është Lulzim Basha që të ketë frikë nga njerëzit që i rrinë afër, se mos i bëjnë hije. Pas një viti janë zgjedhjet lokale dhe Berisha është në një maratonë të pandalshme për t’u rrethuar me njerëz që përcjellin besim. Ka pafund burra, gra, djem e vajza, të cilët duhet t’i mësojmë me kulturën që të bëjnë betejat e tyre dhe të rriten politikisht. Jo të shkojnë direkt në majë. Vetëm kështu mund të kemi lidership me mendim politik dhe me pjekurinë e duhur për të bërë kryetarin e parties”, deklaroi Topalli në një intervistë në A2.

Më tej, “thumboi” Bashën: “Unë nuk e kam menduar veten ndonjëherë kryetare. Në politikë nuk mund të jesh pa shtyllë kurrizore sepse njerëzit të dëgjojnë. Njeriu gabon në politikë, por që të mbash qëndrime nga një ekstrem në ekstremin tjetër, për shkak të karrierës tënde, unë refuzoj. Prandaj nuk jam bërë kryetare”.