Rikthehen tragjeditë me emigrantët e paligjshëm në kanalin e La Manche, pak ditë pasi mediat nga të dyja anët e brigjeve i kishin bërë jehonë lajmit se prej kohësh mungonin udhëtimet ilegale me gomone që kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar.

AFP raporton se 4 emigrantë humbën jetën mëngjesin e së dielës në ujëra franceze teksa ishin duke u përpjekur për të kaluar në rrugën më të shkurtër detare drejt Britanisë.

Rreth 70 emigrantë ishin në varkën që u mbyt, teksa pjesa më e madhe e tyre u shpëtua nga roja bregdetare franceze, por edhe ajo angleze.

Sipas burimeve, emigrantët që humbën jetën ishin nga Siria dhe Iraku.

Emigrantët hasën probleme menjëherë pasi anija u nis nga bregdeti francez në drejtim të Anglisë rreth orës 2:00 mëngjesin e së dielës.