Prokuroria e Shkodrës, pritet të rimarrë në pyetje kunatën e Alma Arrazit dhe të dashurën e bashkëshortit të të ndjerës. Top Channel shkruan se ky veprim hetimor do të kryhet jo vetëm në vazhdën e akuzave të shkaktimit të vetëvrasjes që rëndon ndaj Erdgys Arrazit, por edhe për të sqaruar tej çdo dyshimi të arsyeshëm shumë pikëpyetje që grupi i hetimit ka mbi tragjedinë më të rëndë familjare, vrasje-vetëvrasje me 4 viktima.
Pamjet e publikuara dhe nga ZËRI treguan momentet e fundit gjallë të Alma Arrazit teksa ecte me tre fëmijët e saj, pasi del nga bar iku konsumoi kafe me kunatën e saj. Pikërisht kjo e fundit konsiderohet si çelësi i hetimeve.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë në duart e hetuesve dhe bashkë me ekspertizën e mëtejshme do të dilet me një përfundim për fatin e tyre.
Përgjigjja e parë pritet nga mjekësia ligjore për analizat toksikologjike ndaj të ndjerës dhe tre fëmijëve, dhe akti i dytë pritet nga policia shkencore mbi telefonin e Erdgys Arrazit, i cili ka fshirë çdo komunikim me bashkëshorten dhe ndaj hetuesit kërkojnë rikthimin e bisedave për të provuar veç kërcënimit psikologjik edhe kanosjen verbale.
Nga ana tjetër i arrestuari mbahet në burgun e Reçit dhe nën këqyrje dhe sakaq autoritetet e burgjeve kanë studiuar kartelën e tij të mëparshme, që shfaq vlerësimin e psikologëve në qeli gjatë kohës që Erdgys Arrazi u mbaj i paraburgosur për droge.
Një psikolog i burgut shkruan sipas Top Channel se Arrazi gjatë vitit 2022 shfaqi interes në qeli për programet rehabilituese duke ndjekur trajtimin individual “aftësimi social” dhe “prezantimi i të menduarit”.
E njëjta kartelë tregon se Arrazi gjatë dy muajve në burg kishte kryer tre biseda me familjen në skype dhe vetëm një takim fizik me fëmijët dhe gruan. Ai deklaronte në atë kohë se kishte marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme.
Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj dyshohet se janë vetëhedhur në lumë në datën 2 Maj, ndërkohë që një ditë më vonë u deklaruan të zhdukur në polici nga ana e babait të tyre Erdgys Arrazi. Ky i fundit mbahet nën masën e arrestit me burg, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, akuza të cilat i ka mohuar.