Ermal Mamaqi mendon se 120 euro për të paguar për trajnimet e tij nuk janë shpenzime por janë investime. I ftuar në “Ndryshe” në “Top Albania Radio”, Mamaqi tregoi se kushdo që vjen një herë në trajnimet e tij nuk ‘shkulet’ më që aty. Ai shtoi se ka njerëz që blejnë gjëra koti e se duhet të investojnë më shumë te vetja dhe mendja e tyre.
“Unë quhem trajner motivimi, spiker motivimi. Është një trajnim vertikal. Qëllimi është që të jesh i lumtur. Njerëzit vijnë sepse besojnë që mund të kenë më shumë, të jenë më shumë, të bëjnë më shumë. Unë tregoj disa teknika, tregoj historinë e jetës sime, tregoj si kam bërë unë sukses. Në këto mësime të gjata, në fund njerëzit edhe mund të qajnë, njerëzit preken në disa zona të shpirtit që ndoshta nuk i dinë që i kanë. Aty marrin disa sinjale që i motivojnë. Unë të siguroj që nëse ti rri të paktën një orë aty, ti nuk do të shkulesh pastaj. Bileta kushton 120 euro për dy ditë, janë shumë të shtrenjta por janë lekë që nuk quhet shpenzim por investim! Unë e di shumë mirë që ne blejmë gjëra koti, shpenzojmë për idiotësira, por për të investuar te vetja jonë, shpirti, mendja, jo!”– shtoi ai.