3 fëmijët e Pëllumb Metës, të cilët akuzohen për vrasjen e babait të tyre, kanë dalë sot në Gjykatën e Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokuroria pritet të kërkojë për ta masën e “arrestit në burg”.
Seanca që ka nisur në këto momente do të drejtohet nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku.
Djali i madh Hysen Meta ka mohuar se e ka vrarë të atin.
Sipas Hysenit, ishte e motra Hygerta që vrau të atin, Pëllumb Metën.
“Cili ishte shkaku qe arritët sipas dyshimeve për këtë vepër, Nuk e kam bere un, të flasë ai që e ka bërë. Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi”, tha ai.
Tre fëmijët e viktimës Pëllumb Meta pritet të përballen me akuza të rënda në gjykatë.
Në dosjen e policisë që iu dërgua prokurorisë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Sipas policisë ai ka qëlluar babanë e tij me 4 plumba dhe nëse shpallet fajtor rrezikon deri në burgim të përjetshëm sipas nenit 79 pika c të Kodit Penal.
Dhe për Hygerta Metën, studenten 19-vjeçare, janë ngritur dy akuza: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Duke qenë se Kodi Penal nuk parashikon burgim të përjetshëm për gratë, Hygerta rrezikon dënimin nga 20 deri në 35 vite burg.
Fillimisht u deklarua se ishte vajza e familjes ajo që qëlloi të atin, por nga hetimet rezultoi se ishte djali i madh autori, ndërkohë që dy fëmijët e tjerë kanë ndihmuar në kryerjen e krimit.
Policia dyshon se shkaku i deklaruar i krimit, pra fejesa pa dëshirën e vajzës, nuk është ai i vërteti, pas i nga deklarimet e familjarëve si edhe dinamika e krimit, duket se kemi të bëjmë me një ngjarje të mirëmenduar dhe të planifikuar për një kohë të gjatë.
Pëllumb Meta u vra pasditen e datës 10 shkurt dhe më pas u deklarua i humbur nga djali i tij Hyseni në polici. Pas verifikimeve të valëve të telefonit, policia zbuloi se celulari i tij gjendej në shtëpi duke dyshuar se edhe Pëllumbi ishte aty.
Më pas është zbuluar se ai ishte vrarë dhe groposur me qëllim zhdukjen e gjurmëve.