Blerina Meta, bashkëshortja e të ndjerit Pëllumb Meta që u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij, ka rrëfyer për herë të parë për mediat atë çka çoi në ngjarjen tronditëse.

Ajo ka thënë në emisionin “Pa Gjurmë” se Pëllumb Meta ishte agresiv dhe dhunonte si atë dhe fëmijët e tij.

“Unë jam një grua e dhunuar në mënyrë sistematike, për 26 vjet dhunë fizike, psikologjike, verbale, në maksimum. Të gjithë familjes, por unë isha ajo që e kam përjetuar më shumë. Edhe dritaret e katit të dytë nuk hapeshin ndonjëherë, kur erdhi policia i kanë parë dritaret ishin të ngjitura”, u shpreh ajo.

Sipas saj, dhuna psikologjike dhe fizike e bashkëshortit ka qenë e vazhdueshme.

“Dhuna ishte e pranishme, unë kisha gjetur mënyrën time që nuk kundërshtoja asnjëherë. Ai për gjithçka e vendoste vetë, fliste vetë. Unë isha mësuar dhe e kisha pranuar jo se e doja. Nuk e kisha denoncuar vetëm nga frika. Vazhdimisht kërcënimet e tij ishin nga më të ndryshmet”, deklaroi ajo.

E pyetur për fëmijët, Blerina Meta tha se ata kanë qenë nën trysni të vazhdueshme ndoshta edhe në gjendje depresive, prej dhunës së babait të tyre.

“Unë e dija për të humbur se kishte tre ditë që nuk kishte ardhur. Kur ai iku nga shtëpia, sikur shpëtoi nga dhuna, nga terrori. Frika ka hyrë në çdo qelizë të gjakut. Nuk ka asnjë fëmijë që do të vrasë babanë, por kjo do të thotë se fëmijët janë rritur në një trysni frike të madhe, ata kanë qenë në gjendje depresioni, jam mëse e sigurt”, tha Blerina Meta.

Sipas saj, Pëllumb Meta kishte kërcënuar njëherë djalin e madh për shkak se po flinte shumë gjumë.

“Goca m’u duk e tensionuar, mendova se për shkak të mësimeve. Me thikë në fyt ka marrë dhe ia ka vënë çunit të madh, sepse e pa që po flinte pak gjumë, pse fle kaq shumë”, u shpreh ajo.

Ajo hodhi dyshime se bashkëshorti kishte probleme të shëndetit mendor.

“Para disa vitesh u kontrollua, nuk ishte mirë. Ai thoshte jam mirë. Pastaj thoshte do të të therr, do të të pres copa copa dhe do të të hedh në koshin e plehrave. I thoshte pa ndonjë shkak. Më preu tubin e gazit ku unë gatuaja, që të shpërthente, e pashë që diçka po bënte aty por s’më shkonte mendja kurrë”, tha ajo.

Ajo tha se ndarja nga bashkëshorti ishte e paimagjinueshme, pasi ai e kërcënonte se do ta vriste, duke zbuluar gjithashtu se njëri prej djemve i kishte thënë “mami, kjo zgjidhet vetëm me vrasje, jo me ndarje”.