Një ngjarje që tronditi mbarë opinionin ishte ajo e izolimit në banesë të një familjeje nga 35-vjeçari Jetnor Zhaboli, i cili për më shumë se 1 vit mbante mbyllur në banesë gruan, dy fëmijët dhe nënën e tij, duke i monitoruar me kamera.

Dyshohet se Zhaboli vuan nga skizofrenia, pasi ai ishte paranojak dhe thuhet se dëgjonte zëra nga muret e shtëpisë. Ai deklaronte se familjen e mbante të izoluar në banesë për “ta shpëtuar nga bota jashtë”.

Lidhur me këtë ngjarje, gazetarja Anila Hoxha ka rrëfyer detaje në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Gazetarja Hoxha tha se gruaja e Zhabolit gjatë kësaj periudhe që ishte mbyllur në banesë kishte tentuar vetëvrasjen. Policia arriti të gjente një valixhe, brenda së cilës ndodheshin plot 25 letra të shkruara prej saj, kryesisht duke lënë amanete për familjarët e tjerë teksa mendonte vetëvrasjen.

Pjesë nga deklarata e gazetares Hoxha:

Unë kam patur mundësi të diskutoj me njerëz që e njihnin çiftin, më kanë treguar nga njëra anë bashkëjetesën e mirë në sy të të tjerëve, por nga ana tjetër, shenjat dhe luftën e familjarëve që ta dërgojnë për t’u mjekuar. Ai këmbëngulte se ishte mirë, dhe se bota jashtë shtëpisë ishte ajo që i rrezikonte familjen.

Ai ka filluar të vuajë nga paranoja dhe nga frika se dikush do e rrezikonte atë dhe familjen e tij. Është përpjekur bashkëshortja e tij. Fillimisht ai ka shfaqur detaje të xhelozisë dhe më pas paranojën e përndjekjes. Në këto kushte ai e ka lënë punën. Së fundmi ata ishin punësuar në një biznes të vogël, në një market, me shpresën se do të shpëtonte nga kjo gjendje.

Në këtë situatë të rënduar ai e ka izoluar të gjithë familjen, ka instaluar 5 kamera, jo po flasin murret. Ata shfaqeshin bashkë në lagje dhe dyqane, por çdo gjë ishte e kontrolluar. Nuk jemi para një indiference të fqinjëve. Fqinjët kanë njoftuar disa herë policinë. Çifti është 3 herë në komisariat, por nuk kishin të dhëna se çfarë ndodhte brenda familjes. Bashkëshortja thoshte se gjithçka është mirë. Në fund ajo ka thënë se nuk ka treguar me shpresën se gjithçka do të bëhet mirë.

Policia ka gjetur një valixhe me gati 25 letra, që bashkëshortja i linte si amanet për vëllain e saj, për fëmijët, gjatë tentativave për të bërë vetëvrasje. Në disa prej letrave shkruhet “pse ndryshove, ne ishim mirë”. Në një periudhë 1 vit e gjysmë.