Ka marrë fund aventura e arratisjes së dy adoleshentëve nga qyteti i Elbasanit të cilët u arratisën paraditen e se shtunës.
Të rinjtë janë gjetur gjatë natës së mbrëmshme në Tiranë nga policia e kryeqytetit pas informacioneve të përcjella nga policia e Elbasanit dhe qytetarët të cilët pasi u njohën me rastin nëpërmjet medias treguan një solidaritet të jashtëzakonshëm.
Dy adoleshentët janë rikthyer në Elbasan dhe janë sistemuar në një qendër riedukimi. Policia e Elbasanit bën me dije se është duke vijuar të gjitha procedurat e rastit.
Sipas saj dy të rinjtë kanë pohuar se janë larguar nga shtëpia për shkak të historisë së tyre të dashurisë pasi kishin bindjen se nuk do të pranoheshin nga familjarët.
Djali i përket komunitetit rom, dhe përveç moshës shumë të vogël, familja e vajzës ka qenë kundër lidhjes së tyre edhe prej këtij fakti.
Ata kishin kursyer disa para, në mënyrë që të largoheshin nga familjet e tyre, me ëndrrën e madhe për të nisur një jetë së bashku.