Rodi Barçi, shoferi i një kazinoje në Tiranë, është në mesin e gjashtë të shoqëruarve nga Policia e Tiranës për dhunimin barbar dhe më pas vdekjen e vajzës keniane Joy Ayoko. E reja nga Kenia punonte gjithashtu në kazino dhe pasi u rrah barbarisht, u hodh dhe nga pallati ku jetonte.
Shoferi i kazinosë ku punonte Joy është shoqëruar dhe më parë në Polici, pasi sipas dëshmive të shoqeve të 22 vjeçares, në disa raste ai e kishte përndjekur dhe shantazhuar pasi donte të krijonte një marrëdhënie me të.
Hetuesit kanë arritur të hapin telefonin dhe nga kqyrja e pajisjes, rezulton se komunikimi i fundit i saj ka qenë me shoferin e kazinosë ku punonte, pak para ngjarjes. Vetë ky person është marrë në pyetje pak muaj më parë dhe ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.
Pas më shumë se 8 muajsh, hetuesit kanë përftuar biseda me interes nga zbërthimi i celularit të vajzës, ku mes tyre është edhe komunikimi i Joy Ayoko me shtetasin Rodi Barçi.
Të dhënat e zbuluara kanë shtyrë hetuesit të dyshojnë se fillimisht e reja është thirrur për të zbritur në hyrje të godinës së hostelit ku qëndronte e më pas është dhunuar barbarisht. Më pas, trupi i saj dyshohet të jetë marrë dhe është hedhur në pjesën e pasme të godinës.
Ky fakt ka përputhje me kqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mënyrën se si është gjetur trupi i 22-vjeçares, ndërkohë që në dhunimin e saj dyshohet se janë përfshirë të paktën 5 persona.
Joy Ayoko u gjet në gjendje kome jashtë hostelit ku qëndronte në muajin gusht të vitit të kaluar. Prej disa muajsh ajo qëndroi në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës por më pas u nis me avion ambulancë drejt vendit të lindjes ku edhe ndërroi jetë.