Rasti i dhunimit të një të moshuare nga stafi mjekësor në një qendër për kujdesin e të moshuarve në Pejë, u bë viral dhe tronditi opinionin publik pak kohë më parë.

Mediat kosovare kanë publikuar sot raportin mjekësor pas ekzaminimit të të moshuarës, ku evidentohet se në trupin e saj ka shenja dhune dhe djegie.

“Po, unë e kam pranuar një raport të ekspertizës mjekoligjore, i cili tregon që ka pasur djegie në këmbë dhe shenja të tjera që përshkruhen detajisht në raport. Me këtë raport vërtetohet që e mbrojtura ime nuk është trajtuar siç duhet në atë qendër”, tha Meshari Selimaj, avokati që mbron familjen e të moshuarës që u sulmua në Pejë.

Aty është konstatuar se djegia në këmbën e majtë është shkaktuar si pasojë e temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehta.

Ekspertiza vë në pah se 7 deri 14 ditë më parë ka pasur edhe gjakmbledhje nën lëkurë që dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me mjeti të fortë ose përplasjes së trupit në objekt.

“Ekspertiza është hartuar shumë më herët, e unë e kam pranuar këto ditë, besoj që mbrojtësit e qendrës po tentojnë të fshehin të vërtetën që e moshuara është djegur në atë qendër e tani sapo i ka kaluar djegia”, tha Meshari Selimaj.