Merita Nexhipi kishte 4 muaj që nuk kishte asnjë lajm nga vajza e saj, 22-vjeçarja Brisilda Nexhipi, mirëpo sot mësoi nga ‘Pa Gjurmë” fatin e trishtë se e bija i ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në Durrës.

Ndërkohë që nëna e kërkonte, Brisilda Nexhipi kishte mbërritur në Shqipëri pa dijeninë e askujt në 22 dhjetor, mirëpo në 14 shkurt ajo është përplasur nga një makinë në zonën e Fllakës në Durrës, ku dhe humbi jetën.

Trupi i saj për 52 ditë ka qëndruar në morgun e qytetit e paidentifikuar, teksa pas trajtimit të historisë në emisionin ‘Pa Gjurmë’, një mesazh mbërriti në redaksi ku tha se vajza që po kërkohej kishte ndërruar jetë. Ai kishte bërë lidhjen me tatuazhin që 22-vjeçarja mbante në dorë, ku kishte shkruar emrin e të birit 5-vjeç “Rafaelo”.

“Odeta unë jam një banor nga Shkozeti i Durrësit. Po shikoja me vëmendje vajzën që thërritet me emrin “Coco” me mbiemrin Nexhipi mos gaboj që nëna ka folur nga Franca). Nuk jam i sigurt, por nga mesi i muajit shkurt ka ndodhur një aksident te mbikalimi i Fllakës. Unë kam qenë aty dhe e kam parë që është një vajzë e re, por nuk mund të them fiks se nuk e fiksova imazhin e asaj të gjorës. Interesohuni në spital, ju lutem bëri një verifikim. Mos gaboj ka qenë data 14 ose 14 shkurt, ora 4 e mëngjesit. Ju uroj suksese për punën tuaj fisnike, pasi ju ndjekim çdo ditë”, thuhet në mesazh.

Redaksia e “Pa Gjurmë” bëri verifikimet, nga ku zbuloi se vajza që kishte 52 ditë e paidentifikuar në morg ishte pikërisht Brisilda Nexhipi. Ky lajm iu dha “live” nënës në emision, e cila shpërtheu në lot dhe nuk donte ta besonte, për pasojë la transmetimin.

Zhdukja e Brisilda Nexhipit
Brisilda Nexhipi, me pseudonimin “Coco” mbërriti në Shqipëri më 22 dhjetor të vitit 2022, gjurmët e fundit të së cilës u verifikuan nga sistemi TIMS. Ajo la  djalin 5 vjeç tek e ëma në Francë dhe vetë u largua fillimisht në Arezzo të Italisë e më pas kishte mbërritur në aeroportin Rinasit. Telefonata e saj e fundit me të ëmën ishte 21 nëntor 2022 ora 17:47 minuta. Komunikimi në messenger ishte i vakët, thuajse pa asnjë informacion sqarues.

Ndërkohë, Coco ndërkohë ishte aktive në Tik Tok. Videon e fundit të saj e postoi më 15:12.2022, datë në të cilën ajo nuk kishte mbërritur në Shqipëri.

Më 20 mars të vitit 2023 nëna e saj Merita nga Franca e denoncoi zhdukjen e saj në emisionin ’Pa Gjurmë’, ku pas verifikimeve rezultoi se ajo kishte ndërruar jetë në aksidentin rrugor të ndodhur në Durrës.