Zbardhet dëshmia Andrea Qirjakos, biznesmenit që ishte shënjestruar konkurentët për t’i shkatërruar anijen Finikas me eksploziv. Aksidentalisht mbeti viktimë biznesmeni Armandi Nelaj, pasi lënda eksplozive e destinuar për t’u vendosur në anije shpërtheu dhe ai ndërroi jetë.
Lidhur me këtë ngjarje, është arrestuar Eridion Muho, pronar i një kompanie që operon në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë-Korfuz, i cili dyshohet se organizoi ngjarjen për shkak të konkurrencës.
Pas ngjarjes së ndodhur më 24 qershor, kur Armandi Nelaj u plagos e më pas ndërroi jetë, ka qenë vetë biznesmeni Andrea Qirjako që ka paraqitur kallëzim penal në polici dhe ka deklaruar se ai ishte në shënjestër të sulmit. Ai ka rrëfyer detaje që lidhen me sulmin për konkurrencë, ndërsa pretendon se shpesh ka qenë shënjestër e ngjarjeve të rënda.
Konkretisht në dosjen hetimore thuhet se më 26 qershor 2024, Andrea Qirjako ka bërë kallëzim penale ku ndër të tjera deklaron:
“Unë jam bashkëadministrator me vëllezërit e mi të quajtur Ilirjan Qirjako dhe Vasillaq Qirjako të kompanisë detare “Finikas” shpk. dhe bëjmë linjën detare Sarandë -Korfuz prej 30 vitesh. Kompania jonë ka 6 tragete, ku 3 janë vetëm për pasagjerë dhe 3 të tjerë, janë për pasagjerë dhe automjete. Në të linjë operojnë dhe dy kompani të tjera detare, të cilat janë “Ionia Ferries” dhe “Xhoi Lines”.
Licencat për lundrim detar i marrin nga Ministria e Trasporteve Tiranë dhe Ministría e Trasporteve në Athinë.
Dua të theksoj se në fillim unë kam qenë ortak me shtetasin grekë Petro Papikinos, me të cilin kam punuar për një perjudhë kohe prej I1 vjetësh, pastaj për mosmarrveshje ekonomike jemi ndarë pa konflikte ku kemi punuar deri në vitin 2019”, thekson biznesmeni.
Ai rrëfën edhe për momentin kur ndodhi shpërthimi. “Më datë 24 qershor kam qenë në lokalin “Old Bar” në vendin e thirrur Porti Sarandë, me një mikun tim, kur dëgjoj një shpërthim që vinte nga kalata e portit.
Ktheva kokën dhe shikoj që doli tym i zi. Në të njëjtën kohë pashë dy persona të huaj që po kërkonin ndihmë.
Menjëherë shkova drejt portit, hyra brenda dhe kam parë dy persona në det që po tërhiqnin një person tjeter të plagosur i vendosur gjysëm në gomone. E pashë por nuk e njoha personin e plagosur, pasi ishte i veshur me veshje polumbari pa pesha dhe pa bombula.
Në kokë kishte kapuçin e uniformës së polumbarit. Po në atë momente erdhi ambulanca dhe e mori duke e trasportuar per në spital”, shpjegon Qirjako.
Ai deklaroi se të nesërmen mësoi se personi i plagosur ishte shtetasi Armandi Nelaj dhe duke ditur që ai ishte mik me Eridion Muhon, i është drejtuar policisë.
“Bëra lidhjen me faktet që di unë dhe dyshoj se lënda eksplozive me të cilën u plagos Armandi, do të vihej në një nga tragetet e mi, të cilët ishin ankoruar në portin detar Sarandë.
Arsyeja është konkurenca në aktivitetin tregtar që ne kemi dhe konkretisht për linjën detare Sarandë Korfuz. Unë kam patur konflikte të vazhdueshme me dy persona të tjerë, babë e bir (Eridion Muho dhe babai i tij).
Në vitin 2018, më kanë qelluar tek hyrja e pallatit me shkop bejzbolli tre persona te i paidentifikuar dhe kjo ishte punë e këtyre dy personave, për arsye konkurence.
Me vonë kemi patur grindje të vazhdueshme në portin e Sarandës dhe në portin e Korfuzit për punë pasagjeresh.
Para dy muajsh në Port është djegur një anije transporti pasagjeresh, e cila ishte shtetasit Petro Papikinos.
Kjo anije megjithëse u dogj nga shkëndija elektrike ata më akuzuan mua sikur ja kisha djegur. Para rreth një jave unë kam blerë një anije të re në shtetin e Japonisë dhe e kam çuar për remont në Pire, Athinë në Greqi”, thotë biznesmeni.
Ai akuzon se “pasi anija ka bërë riparimet e para janë vendosur njerëz nga shtetasi Petro Papikinos dhe shtetasi Eridion kundrejt një shume 30.000 euro për të me djegur anijen time në rimond e sipër në Pire. “Kjo Kjo ngjarje nuk ka ndodhur pasi njerzit që do ta kryenin djegien nuk e kanë kryer pasi kanë pare logon “Finikas Lines”, thekson më tej ai
Një tjetër fakt që dua të kallzoj – thekson Andrea Qirjako – eshtë se një ditë para se të ndodhte shpërthimi me datë 24.06.2024, nga ku u dëmtuar Armandi, në anijen ”Santa” e cila i përket shtetasit greke Petro Papikinos, janë zbrazur të gjitha depozitat e naftës dhe janë lënë me bidona sipër anijes.
“Këtë gje ata e kanë bërë për arsyje pasi do të vihej eksplozivi në anijen time me logon “Kristi” e tipit “Delfin”, do të shperthente nga trysnia dhe anija e tyre dhe për ketë gje kanë zbrazur depozitat e naftës. Gjithashtu po atë ditë shtetasi Eridjon ka ikur në Corfuz në orën 16.00, ku ka qëndruar bashkë me Petro Papikinos dhe është kthyer në orën 23.30 me anijen “Saranda ekspes” që e ka të veten”, vijon më tej ai.
Andrea Qirjako flet edhe për një tjetër ngjarje në vazhdën e përplasjeve për konkurrencë me biznesmenë të tjerë.
“Po në lidhje me konfliktet në vazhdimesi do të theksoj edhe një episod tjeter ku në vitin 2020 anija ime me emrin ‘Kristi” është qëlluar me armë nga zona e Ksamilit. “Autorët nuk i di por këtë gjë e ka bërë konkurrenca”, shpjegon biznesmeni. Qirjako.
Policia njoftoi zyrtarisht se Armandi Nelaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit, teksa ishte nisur për tu vendosur eksploziv anijes në pronësi të Andrea Qirjakos.
Nga hetimet rezultoi se ai kishte bashkëpunuar me Eridion Muho, i cili përfundoi në prangfa. “Eridion Muho dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Armandi Nelaj kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën 52-vjecari Nelaj”, njoftoi policia.