Dy vëllezër kanë kanosur një 34-vjeçar në Elbasan për t’i marrë atij shumën e 200 mijë eurove. Policia bën me dije se njëri prej tyre është arrestuar ndërsa tjetri është ende në kërkim. Dyshohet se shuma e kërkuar mund të jetë përfituar prej veprimtarive kriminale të kryera jashtë vendit, ndërsa blutë kanë sekuestruar një automjet, një motomjet dhe dy celularë të autorëve.

Shtetasi i vënë në pranga është 35-vjeçari Altin Dervishi ndërsa i vëllai i tij Ervis Dervishi është ende në kërkim.

Njoftimi i policisë

DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pressure”.

Kanosën një 34-vjeçar, për t’iu dhënë 200 000 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, të kryera jashtë vendit, vihet në pranga 35-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.

Sekuestrohen 1 automjet dhe 1 motomjet që kanë përdorur vëllezërit për të shkuar në ambientet ku ishte 34-vjeçari, për ta kanosur, si dhe 2 celularë.

Si rezultat i reagimit menjëherë pas marrjes së denoncimit se një 34-vjeçar shtrëngohej nëpërmjet kanosjes, për të dhënë një shumë të konsiderueshme parash, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pressure”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi E. D., 31 vjeç, të dy banues në Belsh.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 2 shtetas kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, e cila dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale, në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë, në pronësi të 2 vëllezërve. Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.l