Revista italiane “Lettera 43” sjell një këndvështrim tjetër të pushimeve në Shqipëri në dallim nga ajo që është publikuar së fundi në disa media të tjera perëndimore. “Shqipëria, miti i rremë i pushimeve me kosto të ulët mes tregimit dhe ekzagjerimit”. Ky është titulli i artikullit të gjatë ku përshkruhen me detaje aspekte të ndryshme të vendit tonë.

“Shqipëria është super mikpritëse, por ende shumë prapa në shumë apspekte. Infrastruktura veçanërisht dhe gjithashtu pastrimi i hoteleve. Një hotel shqiptar me pesë yje është i krahasueshëm me një hotel të varfër me tre yje në Itali”, thuhet në artikull. Në vijim tregohet se çmimi mesatar në fund të korrikut shkon nga 80-100 euro për natë.

“Në Dhërmi, ku deti është ndër më të bukurit (por Sardenja dhe Sicilia janë ende të një niveli tjetër), edhe 200 euro për natë. Dy shezlongë buzë detit? Nga 20 deri në 30 euro”, shkruhet në artikull.

Mes të tjerash përmendet edhe çmimi i fluturimeve ajrore nga Italia, që sipas revistës nuk është kurrsesi 28 euro për kthimin nga Tirana sikundër reklamohet.

“Nuk e dimë se në cilat faqe të çuditshme apo në cilën kohë të vitit, ndoshta në sezonin jashtë, çmimet janë kaq të lira. Fluturimi ngga Malpensa në kryeqytetin e Shqipërisë kushton të paktën 300 euro. Duke rezervuar pak paraprakisht, mund ta ulni çmimin në rreth 150 euro. Dhe për të marrë me qira një makinë ju duhen të paktën 50 euro në ditë”, vijon më tej artikulli.

Me ironi këtu evidentohet edhe një detaj, që sipas revistës teksa merrni makinë me qira, do duhet të paguani siguracion më tepër sepse “shqiptarët janë mjaft të pamatur në drejtimin e automjetit dhe dhe është mirë që të mbroheni”.

Në fund artikulli mbyllet me porosinë që llogaritë t’i bëni mirë sipas mundësive të gjithsecilit dhe mos u mashtroni nga premtimi se do të shpenzoni ekuivalentin e një grushti eurosh për të ngrënë mirë dhe për të qëndruar gjatë gjithë natës./Përktheu me shkurtimeGazetaJone