Mediat italiane zbardhin detaje të reja nga tragjedia shqiptare. Në orët e para të ditës së sotme u gjet i vdekur autori i dyshuar i vrasjes së gruas shqiptare në Itali, Alfred Vefa.

Ish-bashkëshorti i Klodiana Vefës, 36-vjeçares me origjinë shqiptare e vrarë në rrugë nga të shtënat me armë zjarri në qytetin e provincës së Firences, është gjetur i pajetë në një zonë të izoluar të San Casciano në Val di Pesa.

Sipas policisë, e cila e kërkonte prej orësh, ai vrau veten duke qëlluar me të njëjtën armë me të cilën ndoshta kishte vrarë ish-bashkëshorten.

Rreth orës 4 të mëngjesit të së shtunës, në një zonë të izoluar të komunës San Casciano në Val di Pesa, një qytetar ka denoncuar një makinë të dyshimtë, të parkuar dhe të braktisur, shkruan TGcom.

Karabinierët që ndërhynë konstatuan se ishte makina e Alfred Vefës. Menjëherë u organizua një kërkim në zonat përreth që më pas çoi në zbulimin, në orën 6 të mëngjesit, të trupit të pajetë të burrit.

Burri dyshohet se e vrau gruan për shkak të debateve për xhelozinë që kishin çuar palët drejt nisjes së divorcit. Çifti la dy fëmijë jetimë.