Gjiri i Lalzit ka pësuar ndryshime të mëdha vitet e fundit, ku brezi i pishave sa vjen e zvogëlohet dhe në atë pjesë kanë “mbirë” resortet e vilave të politikanëve, njerëzve të drejtësisë, biznesmenëve dhe drejtorëve të agjencive shtetërore. Afërsia me Tiranën e ka shndërruar Lalzin një destinacion për shtëpi pushimi, teksa vlera e vilave dhe apartamenteve ka pësuar rritje të konsiderueshme.
Oligarkët e ndërtimit kanë marrë leje për resorte, disa me lidhje të forta qeverie, të tjerë me lidhje të dyshimta, qoftë kriminale apo edhe gjyqësore. Pronat në atë zonë shpeshherë janë bërë objekt i madh konfliktesh, teksa nga ana tjetër qeveria akordon vit pas viti miliona euro për rrugë, trotuare, për ujin e pijshëm apo edhe për ujërat e zeza.
Një tender i ujërave të zeza duket se “bie shumë erë”, pasi një nga ndërtuesit e këtyre resorteve ka marrë miliona euro. Me këto para’ do të bëjë kanalizimet e ujërave të zeza të resortit, apo të gjithë zonës?
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka shpallur fituesin e tenderi të ujërave të zeza në Gjirin e Lalzit. Fitues ka dalë kompania “AGI KONS”, teksa përshkrimi i kontratës ishte “rikonstruksion në rrjetin ekzistues të KUZ në Zonën e Gjirit të Lalëzit”, me një afat 12 mujor. Fondi limit i procedurës ishte 316 milionë lekë, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit.
Në tender ka marrë pjesë “AGI KONS”, me vlerë 291 milionë lekë dhe oferta e firmës “CURRI” me vlerë 294 milionë. Oferta e dytë u refuzua, për shkak se kishte angazhuar inxhinierin në një kontratë tjetër.
Ndërkohë, në dokumentet shoqëruese shkruhej se zona e projektimit përfshin pjesën turistike të Gjiri i Lalzit dhe fshatrat Rrotull, Fushë Draç dhe Shënpjetër. “Për këto fshatra synohet të bëhet studimi për projekt zbatim për rrjetin e kanalizimeve të ujerave te zeza, pasi rrjetet ekzistuese janë tejet të amortizuara. Ndërsa për zonën turistike Gjiri i Lalzit, në të cilën aktualisht ka rrjet kryesor kanalizimi dhe Impiant Trajtimi Ujrash të Ndotura, por nuk ka rrjet sekondar për grumbullimin e tyre” thuhet në këto dokumente.
Natyrisht, investimi i AKUK-ut do të mundësojë një turizëm elitar. Por ajo që bie në sy është se më shumë ndihmon resortet, pasi nga harta duket se shkon në çdo vilë apo hotel të ngritur. Por, nëse një firmë merr zonën me pisha dhe ndërton atje vila, hotele dhe restorante, a nuk kishte planifikuar sistemin e ujërave të zeza? Natyrisht që po, pasi s’kishte si të merrte lejen. Por këto sistemime i ka pasur vetëm në letra dhe jo në terren, pasi qeveria u vjen në ndihmë.
Në dokumente shkruhet se “duke qenë zonë shumë pranë vijës bregdetare qëllimi kryesor mbetet eliminimi i ndotjes që shakton kjo zonë e banuar e Bashkisë Durrës. “Në zonën e projektimit ka disa komplekse turistike, me vila 1-2 kate, si dhe banesa private 1-3 kate në zonën rurale përreth. Popullsia në këtë zonë llogaritet 6,000 banorë. Shtrirja gjeografike është 356 hektarë”, thuhet në këto dokumente.
VoxNews mësoi se firma fituese e këtij tenderi me vlerë 3 milionë euro po ndërton një resort në atë zonë. “AGI KONS” po ndërton kompleksin “Turquoise Marina Kompleks”, në Gjirin e Lalzit. Sipas faqes zyrtare të firmës, kompleksi është 40 kilometra ngaa tirana, 23 nga Porti i Durrësit dhe 35 km nga Aeroporti i Tiranës.
Sipas saj, është vetëm 100 metra nga bregu i detit. Mësohet se po ndërtohen vila individuale, dyshe, katërshe, pallate apo edhe restorante apo hotele. Por, nëse një firmë ka kapacitet për të ndërtuar një “qytet” në breg të detit, në një zonë që dikur ka qenë e gjelbër me pisha, a nuk ndërton dot një sistem të ujërave të zeza?! /voxnews