Deri më sot, forcat ukrainase kanë arritur të ndalojnë përparimin e rusëve drejt kryeqytetit të tyre, duke hedhur në ajër ura e duke luftuar në disa fronte.

Sipas ushtrisë ukrainase, bilanci i humbjeve nga ana e rusëve është i rëndë.

  • Trupa: rreth 5300
  • Avionë: 29
  • Helikopterë: 29
  • Tanke:  191
  • Mjete transporti të rënda: 816
  • Topa: 74
  • Sisteme raktore BUK: 1, RSZV BM: 21, MLRS BM-21: 21
  • Makineri të tjera: 291
  • Depozita karburanti: 60
  • Anije / varka: 2
  • Sisteme ajrore luftimi: 5
  • Humbjet e ushtrisë ruse 24-28 shkurt. Burimi: Forcat e Armatosura të Ukrainës

Një ditë më parë, Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë publikuar një video ku tregojnë momentin që kanë shkatërruar një karvan me tanke ruse, duke përdorur dronë të prodhuar në Turqi.

Gjeneral Lejtnanti Mykola Oleshchuk, shefi i Forcave të Armatosura të Ukrainës, konfirmoi se sulmi ndaj forcave ruse ishte kryer me dronë “Bayraktar TB2”.

Në videon e publikuar, shihet momenti kur disa dhjetëra mjete të rënda ruse hidhen në erë nga goditja, pranë qytetin Malyn, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Kievit. E gjithë ajo zonë, ka qenë e mbushur me luftime intensive në ditët e fundit. Të shtunën, ukrainasit publikuan një tjetër video të karvanit rus të shkatërruar me dronë, në jug të qytetit Kherson.

Dërgesa e parë me këta dronë mbërriti në Ukrainë në vitin 2019, sipas “Wall Street Journal”. Ky lloj droni mund të qëndrojë në ajër për 25 orë, në një lartësi mbi 7,5 kilometra, ndërsa piloti është në gjendje ta kontrollojë nga disa qindra kilometra larg.