Babai i Marjana Sahitajt tregon momentin tragjik kur pa se një makinë kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së tij dhe kishte përplasur rëndë vajzën. Ai thotë se së bashku me djemtë ngritën portën që kishte zënë poshtë 25-vjeçaren dhe nxorën vajzën për ta çuar në spital, por ajo nuk mundi të mbijetojë.
“Ka dalë goca nga shtëpia, sa ka dalë kemi dëgjuar krisma, goditje të forta. Kam dalë me vrap, kam parë vetëm pluhur dhe tym. Makina ishte atje (në cepin e oborrit). Matanë makinës ishte porta e rënë. Gruaja doli të gjente Marjanën në rrugë. Poshtë portës ishte vajza e shtrirë. Me çunat kemi ngritur portën, tërhoqëm vajzën dhe e çuam në spital. Nuk pati fatin të shpëtonte”.
Marjana ishte martuar këtë muaj dhe për pak ditë do të ikte në Angli, pranë bashkëshortit të saj.
“Në 11 shtator do të ikte. Dasmën e bëmë në 6 gusht. Çdo gjë shkoi mirë, në 11 do të shkonte te familja e re në Londër”, rrëfen babai i përlotur.