Ditën e djeshme punonjësi i sigurisë së “Illyrian Guard”, Han Draxhoshi humbi jetën në mënyrë tragjike pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë kohës që ai po ushtronte detyrën e tij tek “Albcontrol” në Rinas.
Familjarët e viktimës janë shprehur se deri më tani “Illyrian Guard” nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar dhe nuk ka treguar kujdes ndaj familjes në këto momente të vështira.
Sipas të afërmëve vetëm kolegët e tij janë kujdesur për transportimin e tij në spital, ndërsa kompania dhe ndihma e shpejtë nuk kanë reagur në kohë.
Familjarët e viktimës shprehen se ata nuk e kanë një raport nga Policia në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe ende nuk janë sqaruar në lidhje me masat e sigurisë që ka ndërmarrë kompania në vendin e punës.
Familjarët bëjnë apel që ngjarja të hetohet dhe “Illyrian Guard” të mbajë përgjegjësi për ngjarjen e rëndë të sapo ndodhur.
Por, në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës bën me dije se 56-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, gjatë orarit të punës, por disa metra larg vendit ku ai kryente detyrën.
Han Draxhoshi ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra nga kontakti me energjinë elektrike.
Policia njoftoi se grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.