
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pronar me 100 % të aksioneve të firmës “AIBA” ka fituar ankandin nga Korporata e Investimeve Shqiptare për të ndërtuar kullat të emërtuar “VOID Tower”.
Ndërtimi do të bëhet në ish-godinën historike të ATSH-së, ku sipas projektit do të bëhen dy kulla të larta dhe shteti do të marrë përqindje nga ky investim. Sipas dokumenteve të mëposhtme, KISH ka shpallur fituesin ditët e fundit, ku rezulton z. Duka.

Dokumenti i mësipërm është njoftimi i fituesit nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila ka hapur disa javë më parë thirrjen për zhvillimin dhe menaxhimin e godinave shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtimin dhe menaxhimin e Kompleksit Governativ, me objekt “zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower”.
Ofertues i suksesshëm u shpall “AIBA Kompani” me adresë në Shkozet në Durrës, me një vlerë të ofruar 46,1 %. Ndërkohë, ofertues tjetër ka qenë edhe shoqëria “Progeen” shpk me një vlerë prej 45 %.

Por, çfarë do të bëhet në ish-godinën e ATSH-së? Sipas dokumenteve dhe fotove, në truallin dhe godinën e stërmadhe shtetërore, ku aktualisht është Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe më parë ka qenë Agjencia Telegrafike Shqiptare apo Ministria e Mjedisit, do të ndërtohet një kullë gjigande. Disa javë më parë, qeveria hapi tenderin për t’ia dhënë truallin dhe godinën një firme private, ku në këmbim do të marrë një përqindje nga ndërtimi.
Por, ajo që bie në sy është se kjo pronë shtetërore, ngjitur me Bulevardin “Zhan Dark”, shumë afër me qendrën, do të kthehet në një godinë e stërmadhe, e cila pritet që të administrohet nga firma private.
Privati do të ndërtojë plot 87 mijë m2, me një kosto plot 110 milionë euro. Duke parë edhe vlerën e lartë të metrit katror, atëherë fitimet që do të marrë privati do të jenë të jashtëzakonshme.

Korporata shkruan se po zbaton projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve “Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett”. Janë dy kulla në një sipërfaqe të madhe, ku në foto duket si qendër tregtare dhe apartamente sipër. Kulla quhet “Void Tower”, teksa Korporata shkruan se tani do të fillojnë fazat e konkurrimit për përzgjedhjen e Partnerit Privat, ajo e kualifikimit dhe përzgjedhjes.
Firma private ka disa kushte, ku Korporata shkruan se kërkon angazhimin që në ndërtesën VOID Tower, të zhvillohet plotësisht projekt-idea arkitekturore e Kompleksit Governativ në pronën për zhvillim publik, sipas lejes së zhvillimit. Kërkohet angazhimi për të lidhur me Korporatën kontratën e sipërmarrjes dhe marrëveshjeve shoqëruese të saj, në përfundim të procesit të përzgjedhjes.
“Ofertat e paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 45% (dyzet e pesë përqind) dhe do të vlerësohen me kriterin përzgjedhës, i cili është: Përqindja më e lartë e sipërfaqes përkatëse e ofruar për Korporatën në ndërtesën VOID Tower mbi kriterin bazë. Shpallet fituese oferta që ofron vlerën më të lartë të kësaj përqindje”, thuhej në dokumente./Vox News