Kuzhinieri i njohur, konkurrenti i “Master chef Albania” Indrit Çela, 39 vjeç është marrë nga autoambulanca e qendrës shëndetësore të Fushë-Krujës në vendin e quajtur Ura e Gjolës pasi kishte dëmtime të shumta.
Indrit Çela për punonjësit e policisë dhe stafin mjekësor të kësaj qendre ka deklaruar se është përfshirë në aksident me një automjet i cili është larguar nga vendngjarja, por kjo nuk i ka bindur efektivët e policisë të cilët dyshonin se Çela ishte i përfshirë në një sherr.
Indrit Çela kishte dëmtime në kokë e fytyrë.“JOQ Albania” ka publikuar dhe disa fragmente të rrahjes brutale që disa të rinj i bëjnë kuzhinierit. Ngjarja ka ndodhur mbi urë në aksin Fushë-Krujë- Rinas – Vorë.
Nuk dihen shkaqet apo autorët e këtij konflikti dhe as motivi pse Çela ka deklaruar që është përfshirë në aksident dhe nuk ka treguar që është dhunuar nga disa të rinj duke fshehur ngjarjen.