Një i ri shqiptar i dënuar për vrasje me 32 vite burgim publikon shpesh video në internet dhe tanimë është kthyer në një personazh të rrjeteve sociale.

Sipas të përditshmes britanike Daily Mail, shqiptari Eugert Merizaj shfaqet vazhdimisht live në TikTok nga qelia e tij në Britaninë e Madhe, ku i riu flirton me vajza dhe luan lojëra, pavarësisht se celulari nuk lejohet.

Mësohet se shqiptari po merr ‘dhurata’ virtuale përmes rrjetit social nga admiruesit, të cilat mund t’i këmbejë me para, kjo është një shkelje sigurie.

Sipas Daily Mail shqiptari ka pohuar se telefonin e tij e kishte marrë përmes një droni dhe e kishte fshehur atë brenda një tualeti, ku deklaron se “nëse zbulohet nga policët, thjesht do të blerë një tjetër”. Ai pretendoi se është telefoni i tretë që ai përdor në burg, secili i kushton atij 2,000 £.

Në një video ai duket se ka bllokuar dritaren e derës së qelisë me letër për të ndaluar oficerët e burgut që të shikojnë brenda, ndërsa në një tjetër ai u ka treguar 8,000 ndjekësve të tij imazhe të gardheve të sigurisë jashtë qelisë së tij. Në fillim të këtij muaji, Merizaj, i cili përdor pseudonimin ‘Babale’, dhe një tjetër i burgosur, i cili e quan veten Cameron, filmuan veten duke flirtuar me një grua që tha se ishte 21 vjeç.

“Ajo është e pafytyrë, burrë”, dëgjohet të thotë Cameron. “A e di ajo se ne jemi në burg megjithatë?”

Merizaj përdor gjithashtu një veçori të quajtur ‘Live Match’ në TikTok për të komunikuar me miqtë jashtë burgut dhe për të bërë shuma të vogla. Ndeshjet e drejtpërdrejta përfshijnë përdoruesit e TikTok që filmojnë veten duke folur me përdoruesit e tjerë për pesë minuta, në të cilat ata shpesh kërkojnë nga spektatorët në internet për donacione. Fituesi i një ndeshjeje është ai që merr më shumë ‘dhurata’ nga shikuesit, në formën e afisheve virtuale shumëngjyrëshe. Dhuratat konvertohen në pikë, të cilat në fund mund të blihen për para. Të mërkurën mbrëma, Merizaj mori pjesë në një ndeshje TikTok Live me tre femra, përfshirë një shqiptare në Spanjë, duke grumbulluar 2600 pikë, ekuivalente me 12.60 paundë.

Ai fitoi një tjetër lojë TikTok Live më 16 gusht me 3,319 pikë, ekuivalente me rreth 16 £. Tre orë më parë ai luajti një tjetër lojë, duke fituar pikë ekuivalente me 8 £. Merizaj, i cili përdor TikTok pa u zbuluar nga qelia për rreth një muaj, ka luajtur edhe ndeshje kundër një llogarie TikTok, e cila sipas burimeve është përdorur nga një tjetër vrasës shqiptar që vuan dënimin e përjetshëm në Greqi.

Merizaj u kap në Belgjikë pas vrasjes dhe u ekstradua në Britaninë e Madhe. Tre anëtarë të tjerë të bandës shqiptare u burgosën për vrasje me paramendim dhe tre të dyshuar janë në arrati. Në një bisedë në TikTok, Merizaj beson se do të transferohet në një burg shqiptar muajin e ardhshëm.