
Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar pasditen e kësaj të hëne në fshatin Vilëz, të njësisë administrative Zheje në Kurbin, ku u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij, 67-vjeçari Dod Mamli.
Burime bëjnë me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se 67-vjeçari të jetë ekzekutuar për një konflikt për shkaqe pronësie, por nuk përjashtohet edhe gjakmarrje.
Dod Mamli është babai i dy vëllezërve Tom dhe Enrik Mamli, të cilët janë dënuar si autorë të vrasjes së Naim Tafës, ngjarje kjo e ndodhur më 23 shtator të vitit 2015.
Si ndodhi vrasja në vitin 2015
Enrik Mamli dhe Tom Mamli, vëllezër me njëri-tjetrin, më 23 shtator të vitit 2015, kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit.
Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte i përfshirë në përleshje. Ndërkohë që u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Nga hetimet e Prokurorisë së Kurbinit rezultoi se konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli kishte filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”.
Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Enrik dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin.
Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre Range Rover. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.
Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të Trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment, kur ambjenti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz. Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, rezulton se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.