Krimi në Shqipëri tregon një realitet për t’u shqetësuar thotë Prokuroria e Posaçme pas një analize që iu ka bërë rezultateve të hetimeve që ka kryer përgjatë vitit 2023.

Në raportin vjetor dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kuvendit, SPAK rendit 9 qytete ku janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal aktiv.

Ato janë Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra, Kurbini dhe Fushë-Kruja.

Pastrim parash, trafik droge dhe vrasje: Cilët janë 9 qytetet me

Bazuar në rastet hetimore, SPAK thotë se në Tiranë dhe kryesisht qytetet bregdetare grupet kriminale janë të fokusuara në pastrimin e parave. Drejtues të grupeve përdorin vajzat dhe gratë me lidhje të ngushtë me ta, duke i dhënë rol aktiv në lëvizjen e parave dhe futjen në ekonomi.

Në Durrës, Fier, Gjirokastër dhe Kurbin konsiderohet problem i dukshëm trafiku i narkotikëve.

Teksa në fushën e krimeve kundër jetës, si vrasjet dhe tentativat për vrasje, ka shfaqje më të dhunshme në Durrës, Fier, Fushë-Krujë, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Fushë-Kruja duket se është qendra e sigurimit të kushteve për atentate. SPAK thotë se aty ka evudentuar aktivitetin e shit-blerjes së armëve të zjarrit, lëndëve shpërthyese dhe vjedhje të makinave.

Grupet kriminale, Prokuroria e Posaçme i ndan në dy kategori, ato që janë të specializuara vetëm në trafikun e kokainës dhe që janë të lidhura ngushtë me Amerikën Latine dhe ato që merren me trafikun e të gjithë drogave.

Këto të fundit kanë lidhje të forta me qytetin e Durrësit dhe sipas SPAK është konstatuar që trafikojnë lëndë narkotike të një cilësie të lartë.

Në një njëjtin raport SPAK dha alarmin për pastrimin e parave nga grupet kriminale në vend.