Vrasja e më pas zhdukja e Giulia Tramontano vijon të zërë një hapësirë të madhe në mediat italiane, ndërsa çdo ditë publikohen detaje të reja për krimin makabër. 29-vjeçarja e cila ishte në muajin e 7 të shtatzënisë, u vra nga i fejuari i saj 30-vjeçar Alessandro Impagnatiello. Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë ku çifti jetonte, mbrëmjen e së shtunës së shkuar. Autori më pas e fshehu trupin për 3 ditë në garazh, tentoi ta digjte dhe më pas e futi në valixhe dhe e braktisi në rrethinat e Milanos.
Gjatë kësaj kohe, familja e Giulias kishte alarmuar autoritetet, fillimisht me dyshimin se vajza ishte larguar. Më herët gjatë asaj të shtune, ajo kishte zbuluar se babai i fëmijës së saj kishte pasur një lidhje paralele me një vajzë 23-vjeçare. Kjo e fundit ishte dhe personi i fundit me të cilën ishte takuar Giulia, përpara se të masakrohej me thikë.
Siç mësohet nga mediat italiane, e shqetësuar për Giulian kishte qenë edhe 23-vjeçarja, e cila sa më shumë kalonte koha dhe për Giulian nuk kishte asnjë lajm, aq më shumë kishte frikë nga 30-vjeçari. Kjo edhe për shkak të bisedës që kishte pasur atë të shtunë me 29-vjeçaren. Ishte pikërisht dëshmia e 23-vjeçares në polici që i dha mundësinë hetuesve për të ndaluar autorin e dyshuar.
Ky i fundit pretendon se krimin e ka kryer i vetëm dhe se e ka bërë që Giulia të mos vuante, sipas tij pasi ajo tentoi të vetëvritej. Kjo tezë hidhet poshtë nga hetuesit, të cilët kanë po ashtu dyshime të forta se ai mund të jetë ndihmuar për të fshehur trupin. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, avokati i tij njoftoi tërheqjen nga mbrojtja e 30-vjeçarit, ndërsa tha se Alessandro u kishte treguar hetuesve ku ndodhej arma e krimit.
Detajet rreth zhvillimeve për vrasjen e Giulia Tramontano-s
“Alessandro Impagnatiello ka thënë se gjithçka e ka bërë i vetëm”. Kështu u shpreh avokati i tij Sebastiano Sartori, i cili e takoi në burgun e San Vittore. Një prej gjërave që duhet të qartësojnë hetuesit është nëse u ndihmua për të fshehur trupin. “Ai e përjashton si mundësi”, tha Sartori duke folur për Rai. “Për dyshimet e hetuesve, do të duhet të pyesni ata”. Sa i përket thikës që përdori për të vrarë Giulia-n,“nuk e ka hedhur. Ka treguar ekzaktësisht ku është”, u shpreh avokati, duke shtuar se arma ndodhej në shtëpi.
Pas këtij prononcimi, Sertori hoqi më pas dorë nga përfaqësimi i 30-vjeçarit, duke paraqitur dorëheqjen në prokurorinë e Milanos. Ai tha se ishte një çështje mes tij dhe klientit të tij, pa dhënë të tjera detaje. “Impagnatiello është në një gjendje të rënduar ankthi, që po del gjithnjë e më shumë në pah”, tha avokati.
Avokati i familjes së Giulias: “Familja e Giulias që prej fillimisht i druhej këtij fundi tragjik, pasi ishte e vështirë që të mendonin se vajza e tyre, në pritje të një fëmije, pavarësisht traumës që kishte pësuar nga marrëdhënia sentimentale, të ishte larguar në mënyrë të vullnetshme nga shtëpia”, u shpreh avokati i familjes së 29-vjeçares për ANSA.
E dashura e Alessandro-s: Nuk e futa në shtëpi
Detaje të reja kanë dalë dritë nga dëshmia e vajzësme të cilën banakieri i lokalit Bamboo në Hotel Armani, që vrau të fejuarën e tij Giulia Tramontano, kishte një lidhje paralele. E reja ka thënë se kishte frikë, si për të ashtu edhe për Giulia-n, sepse nuk e dinte se çfarë i kishte ndodhur. Dy vajzat ishin takuar vetëm pak orë më herët, ndërsa për Alessandro-n para hetuesve u shpreh se nuk e dinte se çfarë ishte i aftë të bënte. Aq sa përballë presionit të tij për t’u takuar në mes të natës, një kolege e çoi në shtëpi, pasi edhe tek vendi i saj të punës ishin të shqetësuar.
23-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, të mërkurën e shkuar para hetuesve tregoi atë që kishte ndodhur të shtunën, ditën kur u zhduk Giulia. Ajo udha detaje të rëndësishme hetuesve që i mundësuan ndalimin e Alessandro-s. Pasditen e asaj të shtune, pasi kishte zbuluar të vërtetën, vendosi që të takonte Giulia-n. E bindur se nuk i kishte dhënë fund fejesës me Giulia-s, siç e kishte gënjyer, apo pretendimet se nuk ishte babai i fëmijës, 23-vjeçarja deklaroi se “të dyja ishin viktima të atij gënjeshtari”.
Dy vajzat u takuan pikërisht pranë hotelit ku 23-vjeçarja dhe Alessandro punonin. “Folëm qetësisht. Qëndruam rreth 1 orë, më pas ajo iku. Një që nisi me një përqafim për solidaritet femëror dhe u përmbyll me një ftesë për të ardhur në shtëpi për të fjetur nëse do të kishte nevojë. Ajo më tha që të mos shqetësohesha, duke më falenderuar”.
Pasi zbuloi të vërtetën, “Giulia më tha se Alessandro nuk do ta shihte kurrë të birin dhe se asaj i interesonte vetëm fëmija dhe shëndeti i saj”.
“Nuk e dinte nëse do të shkonte në Napoli tek prindërit e saj, por e siguri ishte që nuk donte ta shihte më Alessandro-n. Pas takimit tonë do kthehej në shtëpi, në Senago për të folur me të dhe për t’u ndarë”, tregoi 23-vjeçarja. Por në atë orë të darkës, ai e vrau dhe inskenoi sikur ajo ishte larguar nga shtëpia. U përpoq t’i digjte trupin e më pas e futi në valixhe dhe e zhduku. Më pas u përpoq të bindte edhe 23-vjeçaren.
Në një telefonatë video prej 9 minutash, vajza e pyeti për Giulia-n dhe ai fillimisht i thoshte se ishte duke fjetur në dhomë, më pas që kishte shkuar te një shoqe, kur në të vërtetë kishte vdekur. Por 23-vjeçarja nuk kishte më besim tek ai. Nisi të regjistronte bisedat dhe përveç shqetësimit se çfarë mund t’i kishte ndodhur Giulia-s, kishte frikë edhe për veten.
“Në mes të natës nisa t’i shkruaja Alessandro-s duke i kërkuar të dija se ku ishte Giulia. Ai nga ana e tij më kërkonte që të takoheshim, sepse donte që të flisnim vetëm, pa të”.
“Për ta qartësuar njëherë e mirë këtë çështje”, u shpreh ai. Vajza tregoi më tej se ai nisi të insistonte shumë. E frikësuar shkoi e shoqëruar nga një kolege në shtëpi. Por Alessandro nuk u dorëzua dhe i shkoi poshtë shtëpisë. Në fund u ngjit lart, megjithatë bisedoi me të nëpërmjet hekurave të ballkonit. “Ai insistonte që të futej brenda, por unë nuk doja sepse kisha frikë”, tha 23-vjeçarja.
Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë. Autoritetet po punojnë për të zbardhur të gjitha lëvizjet e autorit të dyshuar, nëpërmjet analizimit të kamerave të sigurisë mes Senago dhe Milano. Po ashtu po analizohen edhe qelizat telefonike për të zbuluar personat me të cilët 30-vjeçari ka kontaktuar natën e vrasjes dhe ditët në vijim, për të kuptuar nëse është ndihmuar nga dikush për të fshehur kufomën. Hetuesit, shkruajnë mediat italiane, kërkojnë të rindërtojnë milimetër për milimetër atë që ka ndodhur, pasi kanë dyshime të forta se vrasja ishte e paramenduar dhe se akti u krye në gjakftohtësi të plotë.
Giulia u zhduk të shtunën, por trupi i saj u zbulua vetëm orët e para të së enjtes së shkuar, kur 30-vjeçari pranoi vrasjen e saj.