Gjykata e Durrësit ka caktuar arrest me burg për Habib Rexhën, autorin e vrasjes së Arian Gosës në 21 maj brenda një lokali në Kavajë.

Ndërsa shoku i tij, Erivs Kurti i cili dyshohet se e kishte ndihmuar të largohej pasi kreu krimin e rëndë, është lënë i lirë.

Në seancën me dyer të mbyllura, Habib Rexha ka mohuar që vrasjen ta kishte kryer për motive gjakmarrje me argumentin se vëllai i tij, Altin Rexha dhe Edmonda Gosa, vëllai i viktimës, u vranë me njëri tjetrin pas sherrit që patën në 29 mars.

Ai tha se kishte marrë vendimin për të vrarë Arian Gosën pasi kishte informacione se ky i fundit donte t’i vriste familjarët.

Si ndodhi vrasja e Arian Gosës?
Habib Rexha, më 21 maj, vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë.

Shkak i vrasjes dyshohet se është hakmarrja, pasi Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku viktimë mbeti edhe Edmond Gosa.

Si ndodhi vrasja e Edmond Gosës dhe Altin Rexhës më 29 mars?

Një konflikt banal më 29 mars të këtij viti çoi në vrasjen e Edmond Gosës, alias Armand Gosa, dhe Altin Rexhës, alias Sali Rexha, në Kavajë.

Ata kanë pasur një konflikt disa ditë më parë dhe më 29 mars ata u takuan rastësisht në një lokal, ku teksa u përpoqën të sqaronin sherrin, situata degradoi deri në vrasje.

Pyetja ‘Pse më sheh ashtu‘ nga Edmon Gosa ka irrituar Altin Rexhës, i cili ka marrë thikën dhe ka plagosur Edmond Grosën.

Më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë, duke e lënë të vdekur Altin Rexhën, por edhe vetë Edmond Gosa humbi jetën nga plagët që mori nga plagosja me thikë. Fisi Gosa mbahen edhe si “të fortët” në Kavajë. Në momentin që Gosa ka qëlluar me armë, në vend ngjarje ka qenë edhe fëmija i Altin Rexhës, i cili ishte futur në një dyqan.