Të tjera detaje kanë dalë lidhur me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin pak ditë më parë.
Burime për News 24 bëjnë me dije se Policia e Lezhës ka zhvilluar kontrolle të shumta në Gjadër për gjetjen e vrasësit të Nikulajt dhe mësohet se efektivët janë shumë pranë identifikimit të autorit të ngjarjes.
Gjatë kontrolleve, mësohet se policia ka gjetur rroba në një banesë, që dyshohet se i përkasin ekzekutorit, i cili ishte maskuar si postier dhe me skafadër në kokë.
Rrobat të cilat janë sekuestruar, do çohen në laborator për të bërë ekzaminimet përkatëse.
Kujtojmë se biznesmeni Ardian Nikulaj, që kishte qenë edhe kandidat për deputet në siglën e Partisë Social Demokrate në vitin 2021, u qëllua me 6 plumba në ambientet e lokalit të tij.
Nikulaj kishte pasur probleme të mëhershme me një familje në zonë, por dyshohet se mund të ketë qenë edhe aktiviteti i tij politik ai që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë.