Është gjetur trupi i pajetë i recepsionistit Eraldo Nevruzi. Burime bëjnë me dije për Gazeta Jonë se trupi i pajetë i 31-vjeçarit është gjetur pranë një guroreje, duke shkuar në fshatin Vuno.

Policia prej ditësh së djeshme nisi intesivisht kërkimet për gjetjen e trupit të tij, pasi nga kamerat filmike rezultonte se ai ishte vrarë brenda hotelit, nga njëri prej pronarëve, shtetasi Gerald Shehu. Ky i fundit, pas vrasjes e ka hedhur trupin në afërsi të Vunoit, dhe më pas u arratis drejt Greqisë, ku u vu në pranga në aeroportin e Korfuzit.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit E. N.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.

Ngjarja e cila ka ndodhur mbrëmjen e vonë të datës 5 qershor, është ende e mbuluar me mister mbi motivet e saj. Eraldo Novruzi i cili kishte filluar punë si recepsionist pranë hotel “Greccia”, është parë për herë të fundit rreth orës 22:30 të mbrëmjes së 5 qershorit, teksa i ndërronte turnin koleges së tij.

Mendohet se autori dhe viktima janë konfliktuar me njëri tjetrin ndërsa Geraldo Shehu e ka qëlluar dy herë me armë zjarri tek shkallët e hotelit.

Më pas sipas informacioneve rreth orës 04.00 autori është parë pranë banesës së tij ndërsa ka marrë rrobat dhe është larguar.

Mësohet se ai ka ndjekur itinerarin nga Himara-kuç-Tepelenë – Delvinë- Sarandë deri në Qafë Botë ku ka kaluar kufirin.